Arsyetohet Mane: Do të përfundoja në spital, nëse s’do ta prisja topin me duar
Sadio Mane e arsyetoi ndaljen e goditjes së fuqishme të Nicolo Barellas me të dy duart në fitoren 2:0 të Bayern Munich kundër Interit në Ligën e Kampionëve, duke thënë se po mos ta bënte do të kishte përfunduar në spital.
Mane e ndali me të dy duart brenda zonës goditjen e fortë të mesfushorit të Interit në minutën e 10-të në Allianz Arena të martën.
Gjyqtari e përdori ekranin e VAR-it për ta rishikuar incidentin nëse ishte apo jo penallti për klubin italian. Topi erdhi me shpejtësi të madhe në drejtim të Manes, i cili i vendosi instinktivisht duart para fytyrës për t’u mbrojtur.
Përfaqësuesi i Senegalit beson se goditja e Barellas do ta kishte bërë për spital, nëse do ta kishte goditur direkt në fytyrë.
“Nëse nuk do t’i kisha vendosur duart para fytyrës, ka mundësi se do të kisha përfunduar në spital, prandaj ajo nuk ishte penallti, natyrisht”, tha Mane i pyetur për incidentin.

“Interi është ekip i shkëlqyer, e eliminoi Barcelonën, që nënkupton se ka skuadër të shkëlqyeshme”, nënvizoi ai.
Disfata e mbrëmshme në Gjermani nuk është se i shkaktoi ndonjë dhimbje gjigantit të Serie A, i cili ishte kualifikuar tashmë për rrethin e 16 më të mirëve në Ligën e Kampionëve para asaj ndeshje.
Trajneri Simone Inzaghi bëri ndryshime të mëdha në formacion për përballjen me kampionin gjerman, duke e ditur se Interi nuk do ta fitonte grupin edhe sikur ta mposhte Bayernin.
Ai i pushoi lojtarët kryesorë të ekipit për përballjen e kësaj fundjave kundër rivalit të moçëm në ligë, Juventusit.
Interi nuk e nisi mirë sezonin në Serie A, duke i humbur katër ndeshje, por e ka rimarrë veten javëve të fundit dhe tani ngel tetë pikë larg liderit Napoli.
