Arsenali u nxit nga hakmarrja për ta mposhtur Newcastlen, thotë Arteta
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka thënë se skuadra e tij u nxit nga hakmarrja për ta mundur 2:0 Newcastle Unitedin të dielën, pasi e kishte shikuar një video nga disfata e dhimbshme e sezonit të kaluar.
Goli i Martin Odegaardit në minutën e 14-të dhe autogoli i Fabian Schar në minutën e 75-të mjaftuan për t’u dhënë vizitorëve një fitore të madhe në garë për titull në Premierligë, pasi topçinjtë tani javë vetëm një pikë mbrapa liderit Manchester City, i cili megjithatë e ka një ndeshje më pak.
Newcastle e mundi 2:0 Arsenalin në maj të vitit të kaluar, në një ndeshje tejet të rëndësishme që praktikisht i kushtoi me dështim për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ri. Ajo çfarë ndodhi pastaj u xhirua nga kamerat e dokumentarit të Amazonit “Gjithçka apo Asgjë”.
Lojtarët e mbajtën një takim të herët të dielën, gjatë të cilit i shikuan pamjet nga ajo ndeshje dhe Arteta beson se kjo doli të jetë vendimtare për paraqitjen e tyre shumë të përmirësuar në St. James’ Park.

“Ne duhej ta ndienim. Nuk mjaftonte vetëm të flisnim për atë, ne duhej ta ndienim, ta shihnim dhe t’i njihnim fytyrat tona. Ky është futbolli. Mund të fitosh apo të humbësh por ajo ndjesia se ne nuk kishim bërë mjaftueshëm atë ditë, tani duhej ta rregullonim këtë”, tha Arteta pas ndeshjes.
“Unë po shikoja në video, prandaj nuk i pashë fytyrat e tyre. Nuk ke nevojë të jesh gjeni për ta parë atë. Fjala ishte ‘dhimbje’ dhe pastaj dëshira për hakmarrje. Mendoj se ata e kishin këtë në stomak sot”.
Ai shtoi: “Djemtë e bënë këtë shumë mirë dhe unë jam krenar me ta”.
