Arsenali triumfon me rezultat komod ndaj Luton, e rrëmben vendin e parë në Premierligë - NACIONALE

Arsenali triumfon me rezultat komod ndaj Luton, e rrëmben vendin e parë në Premierligë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Arsenali ka triumfuar 2:0 ndaj Luton Town në kuadër të xhiros së 31-të të Premierligës, kështu duke rrëmbyer vendin e parë në elitën angleze, ani pse kjo mund të jetë vetëm përkohësisht.

Skuadra e Mikel Artetës vinte nga një barazim me Manchester Cityn tre ditë më parë, dhe humbja e pikëve më nuk tolerohej në garën për titull.

Topçinjtë u paraqitën mirë në Fly Emirates dhe nuk zhgënjyen tifozët, duke fituar me dy gola të shënuar në pjesën e parë.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 24-të, kur Kai Havertz asistoi dhe kapiteni Martin Odegaard e çoi topin në rrjetë për 1:0.

Një minutë para fundit të pjesës së parë, skuadra e Artetës shënoi edhe një herë.

Emile Smith Rowe depërtoi mirë në zonë duke asistuar për Reiss Nelson, por që topi në portë u devijua nga Hashioka, i cili shënoi autogol për 2:0.

Pjesa e dytë e takimit ishte shumë pak aktive nga dy skuadrat, me Arsenalin që ia doli ta mbante rezultatin nga pjesa e parë për një trepikësh shumë të rëndësishëm në garën për titull kampion.

Ata tani janë në vendin e parë, por që Liverpool ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Lajme të ngjashme