Arsenali 'e shkatërron' Burnleyn, i afrohet Liverpoolit në dy pikë
Arsenali ka shënuar fitore të thellë me rezultat 5:0 ndaj Burnleyt, kështu për t'u afruar me liderin e Premierligës, Liverpool, në vetëm dy pikë.
Topçinjtë po kalojnë në një formë të jashtëzakonshme, pasi gjashtë ditë më parë fituan 6:0 ndaj rivalëve të Londrës, West Ham United, duke çuar kështu në 11 numrin e golave të shënuar në dy ndeshjet e fundit dhe asnjë të pësuar.
I pari që shënoi ishte kapiteni Martin Odegaard, me një goditje të fortë dhe realizim të bukur për 1:0.
Deri në fund të pjesës së parë, Arsenali shënoi edhe një herë. Kësaj radhe ishte Bukayo Saka, që nga penalltia realizoi për 2:0 në minutën e 41-të.
Skuadra e Mikel Artetës vazhdoi paraqitjen fantastike dhe në pjesën e dytë me tre gola të shënuar.
Bukayo Saka shënoi golin e dytë personal në minutën e 47-të, për rezultatin 3:0.

Leandro Trossard çoi epërsinë në katër gola, kur u asistua nga Havertz në minutën e 66-të.
Për rezultatin përfundimtar 5:0 shënoi gjermani Kai Havertz në minutën e 78-të, i asistuar nga Jakub Kiwior.
Arsenali me këtë fitore ka 55 pikë pas 25 ndeshjeve, dy më pak se lideri Liverpool.