Arsenali e nis sezonin e ri me fitore të mundimshme ndaj Nottingham Forest - NACIONALE

Arsenali e nis sezonin e ri me fitore të mundimshme ndaj Nottingham Forest

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Arsenali ka shënuar fitore në ndeshjen parë të saj në sezonin e ri, duke mposhtur me vështirësi Nottingham Forestin me rezultat 2:1 në Emirates Stadium.

Topçinjtë që ishin në krye të Premierligës për pothuajse gjatë tërë sezonit të kaluar, për ta humbur garën për titull në javët e fundit, ishte tejet dominuese në këtë ndeshje, por që konkretizimi i rasteve nga skuadra e Mikel Artetës la shumë për të dëshiruar.

Pjesa e parë filloi qetësisht për të dy skuadrat, me Arsenalin që filloi të kishte kontrollin e ndeshjes, ndonëse rastin e parë të rrezikshëm e patën mysafirët me anë të Brendan Johnson, që rrezikoi të shënonte kur ishte në pozitë përballë me portierin, por gjuajti shumë larg.

Arsenali në rastin e parë të krijuar arriti të shënonte gol. Ishte minuta e 26-të kur Gabriel Martinelli bëri një veprim shumë të bukur, duke depërtuar në hapësira të ngushta, për të asistuar te Eddie Nketiah, që shënoi bukur për 1:0.

Vetëm gjashtë minuta më pas, ishte Bukayo Saka që mori një top nga William Saliba, për të shënuar një gol të jashtëzakonshëm nga distanca, për 2:0, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Pjesa e dytë i takoi gjithashtu Arsenalit, por që më asnjëherë nuk arritën ta mposhtin ish-portierin e tyre Matt Turner.

Ndërsa Forest, në ato rastet e rralla në ndeshje, arriti ta ngushtojë rezultatin në 2:1, pas një kundërsulmi të shpejtë, ku Taiwo Awoniyi, shënoi në minutën e 82-të, kur u asistua nga Elanga.

Ky ishte rezultati përfundimtar i takimit, me Arsenalin që e fillon mirë rrugëtimin në sezonin e ri, në tentim që kësaj radhe t’i shkojë deri në fund punës, për të fituar titullin kampion që mungon te topçinjtë për 19 vite.

Lajme të ngjashme