Arsenal triumfon bindshëm ndaj Evertonit, krijon diferencë prej pesë pikëve ndaj Manchester Cityt
Lideri i Premierligës, Arsenali, ka arritur të triumfojë bindshëm ndaj Evertonit në kuadër të Premierligës me rezultat 4:0, në ndeshjen që ishte paraparë të zhvillohej në raundin e shtatë, por për shkak të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeta II, u luajt vetëm tani.
Topçinjtë po kalojnë në formë të jashtëzakonshme në këtë sezon, duke bërë kështu që tani të qëndrojnë në krye të tabelës me pesë pikë më shumë se përcjellësi më i afërt, Manchester City.
Të udhëhequrit e Mikel Artetës ishin tërësisht dominues në këtë takim, duke qenë vetëm ata që krijonin raste dhe mbajtën posedimin e topit në mbi 70 % të kohës.
Serinë e golave për Arsenalin e hapi, Bukayo Saka, në minutën e 40-të pas një asistimi të bukur nga Oleksandr Zinchenko.
Pak minuta më vonë, më saktësisht në minutat shtesë të pjesës së parë, topçinjtë dyfishuan epërsinë, duke shënuar për 2:0 me anë të Gabriel Martinellit, me golin që u pranua vetëm pas rishqyrtimit të rastit me VAR.
Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat, ndërsa në të dytën u shënuan edhe dy gola të tjerë.
Kapiteni, Martin Odegaard, u kujdes për rezultatin 3:0, ndërsa Leandro Trossard ishte në rolin e asistuesit në minutën e 71-të.
Ndërsa për rezultatin final shënoi, Martinelli, të dytin për të në ndeshje dhe të katërtin për Arsenalin.
Me këtë fitore, topçinjtë janë më të qetë në krye të tabelës, ngase tani epërsia ndaj Manchester Cityt është thelluar në pesë pikë, kur ndeshjet e luajtura janë barazuar, ndërsa Evertoni gjendet në zonën e rrezikshme, pasi në 25 ndeshje ka grumbulluar vetëm 21 pikë, tre më shumë se vendi i fundit, Southampton, që ka një ndeshje më pak.