Arsenal pas gjashtë viteve feston në Liverpool, e mposht Evertonin
Arsenal ka shënuar fitore të vështirë në udhëtim te Everton, në kuadër të xhiros së pestë në Premierligë.
“Topçinjtë” pas plot gjashtë viteve ka arkëtuar pikët e plota te skuadra nga Liverpool, duke fituar me rezultat minimal 0:1.
Arsenal ishte shumë më e mirë nga minuta e parë duke dominuar në të gjitha aspektet.
Gabriel Martinelli realizoi një gol të bukur pas një asistimi të Fabio Vieiras, por pas rishikimit të VAR-it u anulua për pozitë jashtë loje.
Mysafirët kishin një tjetër mundësi të artë, këtë herë me anë të Martin Odegaardit mirëpo që Pickford bëri një pritje të bukur.
Sidoqoftë, ishte Leandro Trossard që realizoi një eurogol pas një asistimi të Bukayo Sakas duke e lënë të shtangur portierin anglez (69’).
Arsenal edhe pas golit të epërsisë vazhdoi të krijonte aksione të bukura duke rrezikuar me Vieira dhe Odegaard mirëpo sërish s’ia dolën t’i finalizojnë.
Me këtë fitore, Arsenal ngrihet në pozitën e katërt me 13 pikë derisa Everton zë pozitën e 18-të me vetëm një sosh.
Në xhiron e radhës, Arsenal përballet me rivalin lokal Tottenham derisa Everton i shkon Brentfordit.