Arsenal humb ndeshjen e parë në Ligën e Evropës, Lazio një hap larg kualifikimit tutje - NACIONALE

Arsenal humb ndeshjen e parë në Ligën e Evropës, Lazio një hap larg kualifikimit tutje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Arsenal ka pësuar humbjen e parë në Ligën e Evropës. “Topçinjtë” u mposhtën me rezultat 2:0 në udhëtim nga PSV. Me këtë epilog holandezët siguruan kualifikimin tutje si të dytët në grup. Lazio ka fituar 2:1 ndaj Midtjylland.

Pas pesë xhirove të zhvilluara në Grupin A të Ligës së Evropës, ka ardhur edhe humbja e parë për ekipin e Mikel Artetas.

PSV arriti të fitojë në një sfidë mjaft të luftuar, ku sado që mbizotëroi në lojë Arsenali, nuk ia doli që të dilte me pikë. Kjo humbje nuk ka vlerë të madhe për Arsenalin, ngase që në javën e kaluar kishte siguruar kualifikimin.

Në këtë ndeshje nga minuta e parë luajti edhe Granit Xhaka, i cili u përpoq me të gjitha forcat që t’i ndihmonte ekipit të tij. Në një rast ai u ndëshkua edhe me karton të verdhë, për shkak të kacafytjes me lojtarin e PSV, Gakpo.

Në sfidën tjetër, asaj mes Lazios dhe Midtjylland, ekipi italian i drejtuar nga Maurizio Sarri vijoi formën e mirë, duke shënuar një tjetër fitore e cila e afron shumë me kualifikimin në fazën e eliminimit direkt.

Raporti i ndeshjes PSV 2:0 Arsenal

Pjesa e parë qartësisht u mbizotërua nga Arsenali. Skuadra londineze thuajse gjatë gjithë kohës ishte në posedim të topit.

Mirëpo, rastin më të mirë në pjesë të parë e kishin vendësit. Në minutën e 43-të Simons shënoi golin për 1:0. VAR-i më pas ia anuloi për pozitë jashtë loje.

Në pjesën e dytë PSV ishte shumë kërkuese dhe kërkonte me ngulm që të shënonte golin e epërsisë, për ta siguruar edhe ajo kualifikimin tutje.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 56-të, kur De Jong asistoi bukur për Veerman. Ky i fundit nga një distancë jo e largët shënoi për 1:0.

Arsenali u përpoq të kundërpërgjigjej, por ndëshkimi me golin e dytë nga nikoqirët nuk vonoi shumë. Ai erdhi në minutën e 63-të, kur Gakpo ekzekutoi mjaft mirë një këndore nga ana e majtë e fushës.

Më lart sesa të gjithë kërceu De Jong. Duke shfrytëzuar një dalje jo mirë të llogaritur nga Ramsdale, ai shënoi me kokë për 2:0.

Kështu u ruajt epilogu deri në fund të takimit, me PSV që iu gëzua kualifikimit tutje. Gjendja në Grupin A është kjo që mund ta shihni të ilustruar në fotografinë e mëposhtme.

Raporti i ndeshjes Lazio 2:1 Midtjylland

Lazio shënoi një tjetër fitore të rëndësishme në këtë kampionat. Ekipi kryeqytetas italian ia doli mban që ta fitojë ndeshjen në “Olimpico” ndaj Midtjylland.

Llogarinë e golave e hapën mysafirët. Në minutën e 8-t ishte Isaksen ai që kaloi në epërsi ekipin e vet për 0:1 (VIDEO).

Lazio barazoi rezultatin pas afro gjysmë orë lojë. Goli për 1:1 erdhi nga Milinkovic-Savic, i cili u shërbye nga Anderson (VIDEO).

Në pjesën e dytë golin vendimtar për fitoren e shënoi Pedro. Ai shfrytëzoi mirë pasimin e Zaccagni dhe shënoi për 2:1 (VIDEO).

Me këtë fitore Lazio ruan primatin në grup dhe iu afrohet ndjeshëm kualifikimit. Gjendjen në Grupin F sa i përket renditjes tabelore mund ta shihni të ilustruar me fotografinë e mëposhtme.

Lajme të ngjashme