Andy Murray tallet me Federerin: Sapo mbërrita në qytetin e atletit më të madh, Granit Xhaka
Andy Murray është padyshim një topçi i lumtur dhe e shfrytëzoi mundësinë ta shfaqë ngazëllimin me formën e ekipit të zemres Arsenal dhe mesfushorit Granit Xhaka në kurriz të Roger Federerit.
Murray, një tifoz i madh i Arsenalit, ndodhet në Bazel ku po merr pjesë në një turne tenisi dhe shfrytëzoi rastin t’i shkruajë mesazh fituesit të 20 titujve grand slam.
Tenisti skocez, në qytetin e Federerit, i tha 41-vjeçarit me shaka se Granit Xhaka është atleti më i madh i Bazelit.
Xhaka, mesfushori shqiptar i Zvicrës, i ka shënuar katër gola dhe i ka dhënë tri asiste deri tani këtë sezon për Arsenalin, duke i ndihmuar skuadrës të udhëheqë në renditjen e Premierligës.
Federeri, megjithatë, vlerësohet si tenisti më i mirë në historinë e sportit, i cili dikur e mbajti vendin e parë në botë për 310 javë dhe e fitoi Wimbledonin hic më pak se tetë herë.
Ai u pensionua nga tenisi në shtator, duke i dhënë fund një karrierë të paparë.
“I shkrova mesazh Rogerit, kur mbërrita në Bazel dhe i thashë: ‘Sapo preka në tokën e qytetit të njërit prej atletëve më të mëdhenj në histori: Granit Xhaka.’” tha Murray për gazetën zvicerane Aargauer Zeitung.
“E di që Granit Xhaka vjen nga ky vend. Unë jam tifoz i madh i Arsenalit. Xhaka po luan shumë, shumë mirë këtë sezon. Ai e shënoi edhe një gol tjetër të mrekullueshëm të dielën”, shtoi tenisti anglez për mesfushorin me prejardhje nga Kosova.
Xhaka, përfaqësues i Zvicrës, karrierën e nisi në Bazel para se t’i bashkohej Borussia Monchengladbachut më 2012. Ai është golashënuesi i dytë më i mirë i Arsenalit këtë sezon edhe është lartësuar nga trajneri i vet Mikel Arteta.
Si doli Granit Xhaka nga errësira për ta udhëhequr Arsenalin drejt suksesit?
Xhaka, e pranon se ishte futur në një “vend të errët” pas kacafytjes tërbuese me tifozët e Arsenalit në stadiumin Emirates para tri viteve, e cila gati sa nuk e detyroi ta braktiste klubin.
Gjatë barazimit të Arsenalit 2:2 me Crystal Palace në tetor të vitit 2019, Xhaka - i sapoemëruar kapiten - u përcoll me fishkëllima të tifozëve të vet kur u nxor nga loja në pjesën e dytë nga trajneri i atëhershëm Unai Emery.
Xhaka reagoi duke ua ngritur dorën dhe duke e prekur veshin me dorë sikur donte t’iu thoshte se “nuk po ju dëgjoj”, si dhe shkëmbeu fjalë zemërimi me disa tifozë para se ta zhvishte fanellën dhe të ecte drejt tunelit të stadiumit.
“Uroj që askush të mos jetë në gjendjen që kam qenë unë”, tha Xhaka.
“Ishte koha më e vështirë për mua dhe për familjen time”, nënvizoi ai.
Ai incident bëri që mesfushori nga Podujeva – i cili e përfaqëson Zvicrën – ta humbasë shiritin e kapitenit dhe të jetë buzë largimit të klubi.
Këtë sezon, megjithatë, fati i buzëqeshi Xhakës dhe ai tani po del të jetë çelësi i skuadrës së trajnerit Mikel Arteta, e cila zë vendin e parë në Premierligë kur ka përfunduar një e çerek sezon dhe tani e ka siguruar kalimin e grupeve në Ligën e Evropës.
Mesfushori 30-vjeçar tha për Football Focus: “Isha shumë, shumë afër largimit (nga Arsenali) dhe kur them shumë, shumë afër, është sikur ju t’i kishit gjërat këtu të paketuara dhe e gjitha që do t’ju duhej do të ishte t’i merrnit dhe të dilnit nga dera”.
“Në atë çast nuk e doni askënd afër vetes. Ky është problemi më i madh. Je i ulur në një vend të errët duke u ndier i vetmuar. Kështu u ndjeva unë”, shpjegoi ai.
Ardhja e Artetës si trajner në dhjetor 2019 doli të ishte vendimtare, sepse spanjolli e bindi Xhakën të qëndrojë.
“Nuk më pëlqen kur njerëzit flasin me ty por pas shpinës luajnë lojëra. Arteta e di saktësisht çfarë do nga unë, ai e di saktësisht ku do të shkojë procesi dhe unë ndjeva se ishte çasti i duhur për të thënë ‘po, do të qëndroj’”.

