Arsenal del me tre pikë kundër Zurichit, Ludogorets befason Romën duke e mposhtur - NACIONALE

Arsenal del me tre pikë kundër Zurichit, Ludogorets befason Romën duke e mposhtur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Arsenal e nisi mirë javën e parë në Ligën e Evropës, duke shënuar fitore ndaj Zurichit në tokën helvete me rezultat 1:2. Një tjetër mbrëmje për t’u harruar për Mourinhon, pasi skuadra e tij pësoi disfatë 2:1 kundër Ludogorets.

Arsenal e ka lënë me një anë humbjen kundër Manchester Unitedit në kampionat, duke iu rikthyer fitores në Ligën e Evropës.

Këtë gjë e arriti duke bërë rotacion në formacion, pa shpenzuar shumë energji dhe në mënyrën më meritore të mundshme, duke konfirmuar edhe një herë se po kalon në një formë të mirë në këtë fazë të sezonit futbollistik.

Në ndeshjen tjetër, Roma hasi në shumë probleme kundër Ludogorets, duke pësuar humbjen e dytë radhazi, pas asaj kundër Udineses.

Raporti i ndeshjes Zurich 1–2 Arsenal

Arsenal ka bërë disa ndryshime në formacion për dallim nga ndeshjet e Premierligës, duke pushuar shumë nga titullarët e vet. E njëtja nuk mund të thuhet edhe për Zurichin, i cili luajti me formacionin më të mirë të mundshëm, ku aty ishin edhe dyshja e mbrojtjes së Kosovës, Mirlind Kryeziu dhe Fidan Aliti.

“Topçinjtë” kishin ndeshjen në kontroll sa i përket qarkullimit të topit dhe rasteve për shënim gjatë të gjithë kohës në pjesën e parë.

Skuadra e Artetas në minutën e 16-të gjeti golin e epërsisë, përmes Marquinhos, i cili shfrytëzoi mjaft mirë topin e pranuar nga Nketiah.

Arsenal në minutat në vazhdim të pjesës së parë dështoi që ta dyfishonte epërsinë. Kjo iu rikthye në bumerang për një moment, pasi gjyqtari i ndeshjes akordoi penallti në favor të Zurichit në minutën e 43-të.

Një minut më vonë i saktë nga pika e bardhë u tregua mbrojtësi i Kosovës, Mirlind Kryeziu, i cili la të shtangur potierin e Arsenalit, Turner.

Sulmet e Arsenalit vazhduan në pjesë të dytë, në përpjekje të gjetjes së golit të dytë. Këtë gjë mysafirët e arritën në minutën e 62-të, ku sërish në skenë doli dyshja Marquinhos – Nketiah. Kësaj radhe ishte mbrojtësi brazilian që asistoi për sulmuesin anglez, i cili u tregua i saktë me goditjen e tij.

Arsenal ruajti epërsinë deri në fund dhe iu gëzua me plot meritë tre pikëve të para në grup.

Raporti i ndeshjes Ludogorets 2:1 Roma

Mourinho paralajmëroi para fillimit të ndeshjes se nuk do të bënte shumë ndryshime në formacion nga ndeshja e humbur kundër Udineses.

Ashtu ndodhi, por Roma sërish shfaqi probleme në lojën e saj, duke mos arritur që të shpërthente në gjysmëfushën e skuadrës bullgare.

Pjesa e parë mbaroi me shifrat 0:0. Ky rezultat ishte shumë i mirë për vendësit, por jo edhe për Romën. Italianët u munduan në pjesë të dytë që ta ndryshonin paksa qasjen. Përpjekje që nuk solli asnjë fryt, pasi në minutën e 72-të nikoqirët kaluan në epërsi, falë golit që shënoi Cauly.

Pak minuta para se të përfundonte ndeshja, gjegjësisht në minutën e 86-të, Shomurodov shënoi golin e barazimit për 1:1.

Sidoqoftë, në minutën e 88-të ishte mesfushori brazilian Nonato ai që riktheu sërish epërsinë për skuadrën e vet, duke bërë që të kalonin në një entuziazëm të pashoq të gjithë të pranishmit në stadiumin bullgar.

Edhe pse Roma u mundua që të kundërpërgjigjej, për ta shmangur humbjen, një gjë të tillë nuk e arriti dot. Andaj, Mourinho duhet të pajtohet me humbjen e dytë rresht që skuadra e tij pësoi në harkun e katër ditëve.

Rezultatet tjera që u arritën në Ligën e Evropës

Tetë ishin ndeshjet që u luajtën në Ligën e Evropës në ora 18:45. Këto ishin rezultatet e shënuara:

AEK 1:2 Rennes

Fenerbahce 2:1 Dinamo Kiev

HJK 0:2 Betis

Ludogorets 2:1 Roma

Malmo 0:2 Braga

PSV 1:1 Bodo/Glimt

Union Berlin 0:1 Royale Union

Zurich 2:1 Arsenal

Lajme të ngjashme