Arrihet marrëveshja, Xhaka në Bayer Leverkusen për 25 milionë euro
Bayer Leverkuseni ka arritur marrëveshje me Arsenalit për transferimin e mesfushorit shqiptar të Zvicrës, Granit Xhakën.
Xhaka, 30 vjeç, do të kthehet në Bundesligë për ta vazhduar karrierën pas plot shtatë vjetëve të kaluar në Premierligë me topçinjtë.
Xhaka ka udhëtuar drejt Gjermanisë të enjten për t’iu nënshtruar testeve mjekësore dhe për të nënshkruar me klubin e ri.
Arsenali do t’i fitojë 25 milionë euro nga shitja e Xhakës.
Xhaka, ndërkohë, do të nënshkruajë kontratë afatgjate me Leverkusenin, deri në qershor të vitit 2028.

Kalimi i tij i shumëpërfolur në Leverkusen mori dritën jeshile pasi Arsenali arriti marrëveshje me West Hamin për Declan Rice.
Xhaka i ishte bashkuar Arsenalit nga Borussia Monchengladbach në vitin 2016.
Ai i ka shënuar 23 gola dhe i ka dhënë 29 asiste në 297 ndeshje për Arsenalin, duke i ndihmuar klubit ta fitojë trofeun në FA Cup më 2017 dhe 2020.
Karriera e Xhakës në Arsenal
Karriera e Xhakës në Emirates ka kaluar nëpër shumë ndryshime qëkur trajneri i atëhershëm Arsene Wenger e bleu nga Borussia Monchengladbach në korrik 2016.
Ai e preku fundin në vitin 2019, kur u fishkëllye nga tifozët e vet në një ndeshje kundër Crystal Palace dhe si pasojë u shkarkua nga detyra e kapitenit të skuadrës dhe ishte buzë largimin në mënyrën më të keqe të mundshme.
Por Xhaka ia doli t’i ndreqte marrëdhëniet me tifozët dhe me klubin në sezonin e fundit dhe u bë një hero në mesin e tifozëve.
Xhaka u bë shumë i rëndësishëm nën udhëheqjen e Artetës dhe sezoni 2022/23 ishte më i miri në karrierën e tij deri më sot.
Vërtet Xhaka u shndërrua në njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm të klubit në luftën kokë më kokë me Manchester City për titull në Premierligë sezonin e kaluar, duke i shënuar shtatë gola dhe duke i dhënë shtatë asiste në 37 ndeshje në Premierligë.
Pas një periudhe shumë të vështirë, ai u përshendët me shumë nderime nga tifozët topçinjtë dhe tani largohet me faqe të bardhë.
