Armand Duka zgjidhët zëvendës-president i UEFA-s
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nga sot do ta ushtrojë edhe një rol tjetër të lartë. Ai është zgjedhur si zëvendës-president i shtëpisë evropiane të futbollit, UEFA.
Duka me rolin e tij si zv/president i UEFA-s, bëhet shqiptari i parë që ka arritur në një pozitë kaq të lartë udhëheqëse në futbollin evropian, ndonëse kjo nuk është një befasi, pasi ishte paralajmëruar kohë më parë për kandidimin e tij për pozitën në fjalë.
Ky vendim u mor sot në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv (KE) të UEFA-s, ku e zgjodhën Armand Dukën me votim unanim, për postin e dytë më të lartë në organin qeverisës të futbollit evropian.
Ky është vetëm një rikonfirmim besimi ndaj Dukës, pasi vetëm një muaj më parë ai ishte zgjedhur për herë të dytë si anëtar i KE-së në kongresin e 47-të të UEFA-s, në Lisbonë të Portugalisë.
Madje në kongresin e 47-të, Presidenti Duka arriti një rekord që pak kush e ka arritur. Ai mori plot 45 vota nga 55 të mundshmet, për të fituar besimin e delegatëve për herë të dytë me radhë.
Pavarësisht se figura e tij ka qenë në qendër të kritikave kohë pas kohe, Kombëtarja Shqiptare është duke lulëzuar në rezultate dhe padyshim se ky vendim është një lajm i mirë për futbollin shqiptar.
