Armand Duka: S’është shqetësuese kur lojtarët e Kosovës vijnë te Shqipëria, por kur luajnë te Zvicra e Gjermania
Presidenti i Federatës Shqiptare Armand Duka ka lënë të kuptohet se nuk i intereson fare që lojtarët vijnë te Shqipëria duke lënë Kosovën.
Duka thotë se s’është shqetësuese që lojtarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut luajnë për fanellën “Kuq e Zi”, mirëpo kjo mund të jetë vetëm kur luajnë për kombëtare si Zvicra e Gjermania.
Në një intervistë për “ABC News”, Duka sqaroi këtë problem duke lënë të kuptohet se nuk do të bëjë asnjë lëvizje për ta ndërruar situatën meqenëse vetë lojtarët duan të luajnë në fanellën shqiptare.
“Me gjithë futbollin kosovar kam marrëdhënie të shkëlqyera dhe jam mërzitur me humbjen e Kosovës më shumë se vetë Ademi (kryetari i FFK-së) dhe të tjerët. Është pak specifike, temë delegate, por s’shoh asgjë negative përpos gjërave pozitive”.
“Nëse pyesni lojtarët e Kosovës që janë jashtë kufijve “Nga je?”, atëherë të gjithë thonë “Jam shqiptar” dhe këta çunat luajnë për shqiptarët, prandaj s’është asgjë se pse Daku luan për Shqipërinë, e aq më shumë kur është dëshira e tij”.
“Është për t’u shqetësuar kur futbollistët tanë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria apo Maqedonia luajnë për Gjermaninë e Zvicrën, s’kemi pse të shqetësohemi kur luajnë për Shqipërinë”.
Mirlind Daku dhe Arbnor Muja janë dy emrat më të fundit që e lanë fanellën ‘dardane’ për t’iu bashkuar Shqipërisë, derisa FSHF-ja tani ka nisur të jetë aktive edhe në futsall ku në listën e fundit u ftuan nëntë lojtarë kosovarë nga 14 të mundshëm.
Mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë reagim, me menaxherin e Kosovës Bajram Shala që deklaroi se FSHF-ja e ka stërtepruar me veprimet e fundit.

