Armand Duka: Organizimi me Serbinë i shërben edhe Kosovës, “Dardanëve” do t’ua merrja Zhegrovën
Presidenti i FSHF-së Armand Duka thotë se organizimi i Kampionatit Evropian Euro 2025 U21 i konvenon edhe Kosovës, ndërsa e ka pranuar se me dëshirë do ta merrte Edon Zhegrovën te Shqipëria.
Duka ka dhënë një intervistë të gjatë për televizionin “Euroneës Albania”, ku komentoi prapë kritikat e shumta që ka marrë pasi marrëveshja për organizimin e Kampionatit Evropian Euro 2025 U21 po shkon drejt finalizimit.
Ai thotë se mesazhi është pozitiv, ndërsa kjo gjë i konvenon edhe Kosovës në statusin e saj.
“I shërben shumë edhe Kosovës edhe statusit që pret Kosova apo perspektivës së Kosovës”.
“E kam dëgjuar Lorikun kur ka folur për këtë çështje. Po ta dëgjoni, atëherë mund ta komentoni. Disa media duan ta komentojnë negativisht. I mirëpres të gjithë, secili ka këndvështrime të ndryshme. Por unë i ftoj që të shohin pozitivisht. Mesazhi është pozitiv. Jam i sigurt që Kosovës deri më 2027 do t’i kontribuojë në statusin e saj. Është një gjest pozitiv, një mesazh paqeje dhe një mesazh bashkëpunimi”
Ndër të tjera, atij iu kërkua ta komentojë ekipin e Kosovës për të cilin dha lëvdata, mirëpo shtoi se me dëshirë do ta merrte Edon Zhegrovën te “Kuq e Zinjtë”.
“Kosova ka një skuadër shumë të mirë, ka futbollistë me shumë kualitet, pavarësisht se ka pasur një hap pas kundër Rumanisë. Në ndeshjet e tjera kanë qenë bindëse dhe unë uroj që të vazhdojnë kështu deri në fund. Duket disi e vështirë për Kosovën që të jetë e para në Ligën e Kombeve. Por edhe si e dyta e grupit, mund të luaj në play-off dhe kam shumë besim që edhe në play-off do ta kalojnë në grupin B. Do të jenë një ekip pretendent për Kupën e Botës në vitin 2026. Nëse trajneri ka ndryshuar, apo koha, këtë nuk di ta them, por di që është një trajner me eksperiencë. Rregullorja nuk lejon marrjen e lojtarëve që janë aktivizuar, por me dëshirë do ta merrja Zhegrovën”, nënvizoi Duka.