Armand Duka: Bashkëpunimi i Shqipërisë me Serbinë një mesazh përtej sportit - NACIONALE

Armand Duka: Bashkëpunimi i Shqipërisë me Serbinë një mesazh përtej sportit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Shqipërisë në bashkëpunim me atë të Serbisë do ta organizojnë Kampionatin Evropian 2027 për U21, me UEFA-n që tha se ishte i vetmi aplikim në kohë.

Pati shumë reagime ndaj kësaj kandidature të Shqipërisë, sidomos për faktin historik, se si kanë kaluar shqiptarët me pushtuesit serb ndër vite.

Numri një i futbollit shqiptar, Armand Duka, ka folur për këtë në një intervisë në TV Klan, ku ka thënë se ky bashkëpunim është një mesazh përtej sportit.

“E para benefit sportiv është që ekipi jonë i U21 është pjesë e finaleve të evropianit, por edhe infrastruktura sportive në Shqipëri ndryshon. Është një benefit tjetër. Bashkëpunimi i Shqipërisë me Serbinë i jep një shans më shumë për ta pasur këtë kampionat në Shqipëri sepse merret si një mesazh përtej sportit. Padyshim që ka opinione negative pse ne me Serbinë. Padyshim janë ndonjëherë edhe të arsyeshme ndonjëherë edhe emocionale, por ne duhet të mendojmë dhe tejkalojmë këto. Kush më mirë se futbolli mund të japë mesazhe paqeje, solidariteti dhe bashkëpunimi”, tha Duka.

Se Shqipëria është në vëmendjen e UEFA-s tregon fakti se të martën e javës në vazhdim do të organizohet mbledhja e komitetit ekzekutiv të shtëpisë së futbollit evropian në Tiranë.

Armand Duka foli edhe për Kombëtaren A, duke treguar se synojnë kualifikimin e parë në Botëror, teksa e konsideroi se Sylvinho me stafin e tij ishin të duhurit për të vazhduar me punën, për të arritur diçka të tillë.

“Do luftojmë me top futbolli për të arritur në kampionatin botëror që Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë. E përsëris që mbetet një objektiv i vështirë, për t’u kthyer në rikonfirmimin e Silvinjos dhe stafit të tij padyshim që ka qenë fryt i punës së tij, stafit, përkushtimit të tij dhe rezultatit. Në fund të fundit ishte e natyrshme që duhej të vazhdonin bashkë. Nuk mund të ndërpritet një marrëdhënie suksesi.”

Duka u shpreh se objektivi madhor mbetet Botërori, por që garë të madhe e konsideron edhe Ligën e Kombeve.

"Edhe Liga e Kombeve është një kompeticion shumë i vështirë. Është një kompeticion me katër skuadra të nivelit të barabartë, ku secila nga skuadrat mund të dalë në vendin e parë ose e fundit. Objektivi ynë madhor mbetet Botërori. Fatmirësisht apo fatkeqësisht tani edhe ndeshje miqësore ka shumë pak. Të gjitha ndeshjet janë gara, janë kompeticione, pra duhet të kolaudohesh, adaptohesh ose rinovohesh edhe duke tentuar rezultatin."

Kujtojmë se Kuqezinjtë zhvillojnë dy ndeshje në muajin tetor në kuadër të Ligës së Kombeve, ku fillimisht udhëtojnë në Çeki më 11 tetor, teksa pas tre ditësh përballen me Gjeorgjinë, poashtu në udhëtim.

Lajme të ngjashme