Arlind Ajeti për EURO 2024: Garë e vështirë, shpresojmë të bëjmë diçka speciale - NACIONALE

Arlind Ajeti për EURO 2024: Garë e vështirë, shpresojmë të bëjmë diçka speciale

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Arlind Ajeti, doli sot (e martë) në një konferencë për shtyp, në kampin bazë të kuqezinjve në Kaiserau, duke folur në lidhje me Evropianin, ku shpreson se ai me shokë do të arrijnë diçka speciale.

Ajeti tregoi se si ndihet për pjesëmarrjen e dytë në një Evropian, çfarë presin nga kjo garë, përgatitjet për Italinë e shumë gjëra të tjera.

Paraqitja e dytë në Evropian për Arlind Ajetin

"Shumë mirë, unë besoj se çdo lojtar që është i grumbulluar ndihet mirë. Është diçka speciale, sidomos kur bëhet fjalë për Kampionatin Europian."

Ajeti thotë se trajneri vendos se a luan apo jo

"Nuk e di, mundohem të jem sa më pranë ekipit. Nëse do luaj ose jo e vendos trajneri. Unë e mbështes Kombëtaren nga jashtë fushe dhe sigurisht nga fusha nëse do të luaj."

Dëmtimet në të kaluarën

"Dëmtimet që kam pësuar janë pjesë e futbollit. Jam përgatitur mirë, dy ndeshjet miqësore kanë qenë të rëndësishme për mua dhe jam gati 100 %."

Ndaj Italisë mundohemi të marrim rezultat pozitiv

"Ne kemi shpresat tona në çdo ndeshje. Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Ne do të japim maksimumin. Si në ndeshjen e parë dhe në të fundit do të mundohemi të marrim rezultat pozitiv."

Analiza e skuadrës italiane

"Për momentin kemi analizuar gjithë ekipin e Italisë, në ditët e ardhshme do të specifikojmë dhe lojtarët individualë. Ne duhet të përgatitemi për çdo sulmues. Gianluca Scamacca e pamë në Europa League që është shumë i rrezikshëm. Duhet të shohim edhe të tjerët se nuk luan vetëm një lojtar."

Evropiani garë e veçantë

"Kampionati Europian është shumë i veçantë. Çdo lojtar e ka ëndërr të jetë pjesë e një Europiani. Ne kemi fatin të jemi këtu, të japim maksimumin tonë."

Shanset për të kaluar grupet

"Ne gjithmonë i besojmë vetes dhe ekipit e çdo lojtari të grumbulluar. Duhet të japim maksimumin dhe të shohim pastaj se çdo të ndodh."

Udhëtim jo vetëm për prezencë, por për të bërë diçka speciale

"Kemi tre finale. Çdo ndeshje do të jetë speciale për ne. Do të jetë e vështirë, por shpresojmë të bëjmë diçka speciale."

Krahasimi i skuadrës nga EURO 2016 në EURO 2024

"Nuk di të them nëse skuadra është më e fortë, por kemi shumë cilësi dhe shumë lojtarë vijnë nga ekipe të mëdha. Kualiteti duket në ekip, pasi kemi lojtarë shumë në formë."

Ndjesi e veçantë edhe për ne që jemi për herë të dytë në Evropian

"Është e veçantë edhe për ne, edhe pse është hera e dytë. Emocionet janë të ndryshme. Mundohemi të mbështesim çdo lojtar që me moshë është më i ri. Si jashtë fushe, edhe brenda fushës ne i mbështesim në çdo mënyrë."

Ndaj Italisë për rezultat pozitiv, shkojmë ndeshje pas ndeshjes

"Llogaritë nuk i kemi bërë. Do shohim ndeshje pas ndeshje. Fillimisht me Italinë do mundohemi të marrin rezultat pozitiv, pastaj të shohim."

Tifozët na motivojnë për sukses në EURO

"Presioni është normal në futboll, si në klube si në Kombëtare. Por kur sheh tifozët si na pritën, në ndeshje dhe në stërvitje, kjo na motivon më shumë. Shpresoj dhe jam i sigurt që do të na mbështesin edhe në këto ndeshje në Europian."

Mbrojtja sipas Ajetit

"Ne të gjithë kemi një raport shumë të mirë. Kjo gjë na ka ndihmuar edhe në kualifikuese. Të gjithë luftojmë për njëri – tjetrin. Me Beratin kam kohë që luajë, por edhe me të tjerët. Në 2016-ën isha unë më i riu dhe kisha pranë Mavraj dhe Canën, tani jam unë pak më i vjetër, por nuk mund të zgjedh. Siç e thashë edhe me parë. Çdo gjë ndodh në futboll, ka momente të mira dhe të këqija. Por nuk duhet të humbasësh shpresën, duhet të ringrihesh. Tani është momenti për të bërë sërish një hap të madh."

Pse është e rëndësishme për shqiptarët ndeshja ndaj Italisë

"Nuk di ta them, ndoshta nga karakteri që ne kemi. Gjithmonë i kemi pasur tifozët pranë nesh, na kanë dhënë shumë forcë në fushë. Ky është edhe një nga motivet se pse kemi ardhur deri këtu."

Scamacca më i rrezikshmi te Italia

"Nuk mund të them një sepse janë të gjithë të fortë. Por, sigurisht Scamacca ka bërë një kampionat shumë të mirë, është paraqitur shumë mirë në Ligë të Evropës, duhet të jemi të kujdesshëm. Por sipas meje nuk duhet të përqëndrohemi te vetëm një lojtar, sepse janë të gjithë shumë të fortë."

I lumtur që kam luajtur në Itali, jam rritur si lojtar

"Shumë gjëra, jam rritur shumë si lojtar dhe si person pasi ishte hera e parë që isha larg nga shtëpia ime. Më ka ndihmuar shumë dhe kam marrë eksperiencë të rëndësishme. Jam i lumtur që kam luajtur në Itali."

Lajme të ngjashme