Argjentina me Messin mposht Kanadanë dhe shkon në finalen e Kupës së Amerikës
Kombëtarja e Argjentinës ka avancuar në finale të Kupës së Amerikës, duke shënuar fitore komode ndaj Kanadasë.
Me një tjetër paraqitje të bukur të Leo Messit, Argjentina triumfoi me rezultat 2:0 për të siguruar biletën për në fazën finale.
Pas vetëm 22 minutave lojë, Julian Alvarez kaloi Argjentinën në epërsi me një goditje fantastike pas një asistimi të De Paul.
Argjentina vazhdoi të jetë dominuese duke pasur një rast të mirë përmes Di Maria, që ishte afër të realizonte një vollej të bukur, si dhe Lionel Messit, i cili dribloi brenda zonës por s’e finalizoi.
Kanada në këtë pjesë ishte më e qetë, duke rrezikuar vetëm me anë të Jonathan David, mirëpo Martinez si gjithnjë ishte në vendin e duhur.
Fitoren e Argjentinës e vulosi vetë Messi me një gol të bukur pasi mori një asistim nga Enzo Fernandez (51’).
Kanada tentoi vonë ta barazonte duke pasur dy raste përmes Oluwaseyi por ky i fundit assesi s’ia doli t’i konkretizojë.
Kësisoj, Argjentina kualifikohet në finalen e Kupës së Amerikës ndërsa do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër Uruguai – Kolumbi.