Arbër Hoxha: Gjithmonë kam pasur më shumë dëshirë për të luajtur për Shqipërinë se Kosovën
Sulmuesi Arbër Hoxha ka treguar se gjithmonë ka ëndërruar që ta veshë fanellën e Shqipërisë, duke thënë se ndjen më shumë se për Kosovën.
Në një intervistë para disa ditëve për mediumin “Nacional.hr”, Hoxha ka treguar për ambientimin te Dinamo Zagreb, si dhe arsyen pse zgjodhi Shqipërinë para Kosovës.
Ish ylli i Ballkanit deklaroi se është njëjtë si të luash për Kosovën, si për Shqipërinë, mirëpo mosftesa e “Dardanëve” ndikoi që të vendoste për “Kuq e Zinjtë”.
“A ke menduar ndonjëherë se mund të luash për Kosovën? Po, por ndjenjat e mia ishin se doja të luaja për Shqipërinë më shumë. Kosova dhe Shqipëria janë të njëjta, flasim të njëjtën gjuhë, është njëjtë si të luash për Kosovën ose Shqipërinë”.
“Duke marrë parasysh se Kosova nuk më ftoi te kombëtarja dhe mora ftesë nga Shqipëria, zgjodha të luaj për Shqipërinë”.
“A ka pasur dilema se kë të zgjidhje? A ke biseduar me familjen? Po, bisedova me babain tim, i cili më tha se vendimi më takon mua. Më tha të ndjekja ndjenjat e mia para se të merrja vendimin”.
Përndryshe, Hoxha komentoi edhe Kampionatin Evropian “Euro 2024”, duke shtuar se mezi pret të zhvillohet dhe është duke ëndërruar ftesën nga Sylvinho.
“Të luash për kombëtaren është ndjenjë e mirë. Tani më duhet të punoj dhe shpresoj të luaj në Kampionatin Evropian këtë verë. Ky do të ishte vit i pabesueshëm për mua”.
“Gjithçka është mirë në Federatën e Shqipërisë, si organizata ashtu edhe trajneri dhe lojtarët që luajnë në disa klube të mira italiane dhe spanjolle. Prandaj e meritojmë të luajmë në Kampionatin Evropian”.
“Ishim të mirë në kualifikuese, nuk luajta për Shqipërinë atë kohë, por kur luajta për herë të parë e pashë që kemi një skuadër me kualitet dhe mund të arrijmë rezultate në të ardhmen. Kur erdha për herë të parë, Sylvinho më tha: “E meriton të jesh këtu. Të kam shikuar, më kë impresionuar dhe prandaj pres nga ti shumë në të ardhmen”. Iu përgjigja “Faleminderit zotëri, do të bëj më të mirën që të ndihmoj kombëtaren me rezultate të mira në të ardhmen”.