Antonio Conte me mesazh nga spitali, kur do të rikthehet ai?
Trajneri i Tottenhamit, Antonio Conte, ka thënë se operacioni i tij për heqjen e fshikëzës së tëmthit ka shkuar mirë dhe se ai mezi pret të rikthehet në fushën e lojës me skuadrën londineze.
Trajneri italian Conte iu nënshtrua një operacioni për heqjen e fshikëzën e tëmthit të mërkurën, njoftoi klubi londinez.
Conte, 53 vjeç, u diagnostikua me kolecistit, inflamacion të fshikëzës së tëmthit, pasi kishte ndier keq me dhimbje të madhe barku.
“Faleminderit për mesazhet tuaja të dashura. Operimi im ka shkuar mirë dhe tashmë po ndihem më mirë. Tani është koha ta rimarr veten. Mezi pres të rikthehem në fushë me ekipin”, shkroi Conte në rrjetet sociale.

Ndeshja e ardhshme e Tottenhamit do të jetë kundër Manchester City në Premierligë të dielën në Londër, por Conte nuk do t’ia dalë të jetë në stol për ta drejtuar skuadrën ndaj kampionit në fuqi.
Kur mund të rikthehet Conte?
Sipas Il Corriere dello Sport, Conte nuk do të jetë në stol kundër skuadrës së Pep Guardiolës të dielën, dhe do të zëvendësohet nga ndihmësi i vet Cristian Stellini.
Raportohet se nevojiten rreth dy deri në gjashtë javë për ta rimarrë veten nga një operacion i tillë.
Por meqë Conte është në gjendje shumë të mirë, ai mund të rikthehet në stolin e Tottenhamit të shtunën më 11 shkurt kundër Leicester City, apo kundër Milanit në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve më 14 shkurt.
Skuadra e Contes renditet në pozitën e pestë në tabelën e Premierligës me 36 pikë, 14 mbrapa liderit dhe rivalit londinez Arsenal.