Antonio Cassano: Me apo pa Leaon, Milani është inferior ndaj Interit
Antonio Cassano beson se Milani është skuadër inferiore karshi rivalit Interit, pavarësisht se a luan apo jo ylli kryesor i ekipit Rafael Leao.
Leao është lojtari kryesor i kuqezinjve dhe mungesa e tij u vërejt në disfatën e tyre 2:0 kundër zikaltërve në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve javën e kaluar në San Siro.
Milani e viziton sonte Interin në Meazza për ndeshjen e kthimit dhe ka një mal për ta kapërcyer nëse dëshiron të shkojë në finale për herë të parë që nga viti 2007.
Një gjë pozitive për skuadrën e Stefao Piolit këtë mbrëmje do të jetë prania e anësorit portugez, i cili është riaftësuar plotësisht nga lëndimi.
Por Cassano, ish-sulmues i Interit dhe Milani, mendon se vetëm një katastrofë mund të bëjë që Interi të mos shkojë në finale dhe jo Leao.
“Interi duhet të luajë me shtatë lojtarë, me fëmijë të Primaverës, për t’u eliminuar. Madje ka rrezik se as atëherë Milani nuk do të jetë në gjendje t’i mposhtë. Me apo pa Leaon, nuk ndryshon shumë, Milani është inferior ndaj Interit. Portugezi nuk është Kaka apo Ronaldinho, s’e shoh atë në këtë nivel”, tha Cassano për Bobo TV.
Milani nuk është duke kaluar në formë të mirë, pasi u mposht edhe nga Spezia në fundjavë në Serie A dhe tani rrezikon të mbetet jashtë top katërshes.
“Për mua duhet të ndodhë një katastrofë që Interi të eliminohet. Pas ndeshjes së parë, paraqitjet e muajit të fundit dhe epërsia prej dy golave, bëjnë që kuqezinjtë të mos ketë asnjë mundësi, sipas meje”, shtoi ai.

