Dëshpëron Milani, mposhtet nga Spezia e vendit të 18-të - NACIONALE

Dëshpëron Milani, mposhtet nga Spezia e vendit të 18-të

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Milani ka pësuar humbje 2:0 nga Spezia, skuadër kjo e cila rrezikon rënien nga Serie A këtë sezon.

Kuqezinjtë erdhën në këtë ndeshje nga një humbje e hidhur në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve nga rivalët e qytetit, Inter.

Për skuadrën e Piolit as në këtë ndeshje nuk ishte i disponueshëm Rafael Leao, ndërsa munguan edhe Rade Krunic, Ismael Benacer e Junior Messias, të cilët u paraqitën në Ligë të Kampionëve.

Milani zhvilloi një nga ndeshjet më të dobëta të sezonit, duke gjuajtur vetëm dy herë në drejtim të portës gjatë 90 minutave të takimit, teksa vendasit ishin ata që u treguan më të rrezikshëm.

Gola në pjesën e parë nuk pati, ndërsa në të dytën, Spezia shënoi dy të tillë.

Ishte Wisniewski që shënoi golin e parë të takimit në minutën e 75-të, kur nga një goditje nga këndi fillimisht u godit shtylla, ndërsa në topin e kthyer shënoi mbrojtësi polak.

Saktësisht 10 minuta më vonë, Spezia shënoi edhe të dytin, që ‘këputi’ shpresat e Milanit. Ishte Salvatore Esposito që shënoi gol të bukur nga gjuajtja e lirë, për rezultatin përfundimtar të takimit 2:0.

Tani Milani me këtë humbje do të vazhdojë të mbetet në pozitën e pestë, me Interin që gjendet e katërta me dy pikë më shumë por me një ndeshje më pak.

Kuqezinjtë që janë me një këmbë të eliminuar nga Liga e Kampionëve, tani mund ta humbin mundësinë edhe për kualifikim në këtë garë në sezonin e ardhshëm, pasi deri në fund kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u zhvilluar.

Lajme të ngjashme