Ankohet Erik ten Hag: Manchester Unitedi e ka orarin më të keq të ndeshjeve në Premierligë
Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, pretendon se skuadra e tij e ka orarin më të keq të ndeshjeve në Premierligë këtë sezon, por tha se lojtarët e tij nuk mund ta përdorin këtë si arsyetim për çuarjen dëm të një epërsie prej dy golave kundër Tottenhamit.
Vetëm katër ditë pasi luajti 120 minuta plus penallti për ta mundur Brightonin në gjysmëfinale të FA Cup, Unitedi udhëhoqi 2:0 në Spurs falë golave nga Jadon Sancho dhe Marcus Rashford në pjesën e parë.
Por epërsia e tyre u zhduk në pjesën e dytë kur Pedro Porro dhe Heung-Min Son shënuan për t’i nxjerrë një pikë nga kjo përballje Tottenhamit.
“Ne e kemi orarin më të keq në Premierligë po ashtu, kjo nuk do të ndryshojë”, tha Ten Hag kur u pyet nëse lodhja luajti rol në lëshimin e pikëve nga skuadra e tij.
Megjithatë, trajneri holandez i kritikoi lojtarët e vet që nuk u përkushtuan plotësisht në këtë ndeshje.
“Duhet ta pranosh. Nuk mund ta përdorësh si arsyetim. Kemi kohë të mjaftueshëm për ta rimarrë veten, prandaj lojtarëve tanë u kërkohet të jenë gati. Sot ata nuk ishin gati”, nënvizoi ai.
“Ne menduam se 90% mjafton, prandaj edhe i falëm topat. Dhe kur nuk e kryen punën tënde në pozicionim, pranon gola. Duhet ta japësh 100% në çdo rast, në çdo ndeshje”, shtoi ai.
Siç qëndrojnë gjërat, Unitedi mbetet në pozitën e katërt me 60 pikë, gjashtë më shumë se Tottenhami që është i pesti dhe dy ndeshje më pak të zhvilluara.
