Mbyllet pa fitues drama e katër golave mes Tottenhamit dhe Manchester Unitedit
Manchester United nuk ka fituar më shumë se një pikë në udhëtim te Tottenhami, në kuadër të derbit anglez për xhiron e 33-të në Premierligë.
"Djajtë e Kuq" pavarësisht që ishin në epërsi prej dy golave, u ndalën në një barazim 2:2.
Mysafirët e nisën në mënyrë fantastike takimin duke kaluar në epërsi pas vetëm shtatë minutave lojë me anë të Jadon Sanchos, që shënoi një gol tejet të bukur pas një asistimi të Marcus Rashfordit.
Anglezi kishte edhe një tjetër rast nga afërsia, por që mbrojtja vendase arriti ta devijojë në çastet vendimtare.
Ndërsa, pas një kundërzbritje të shpejtë, Bruno Fernandes gjeti për mrekulli Marcus Rashfordin, që dyfishoi epërsinë e Unitedit (44').
Sidoqoftë, Tottenham nuk u dorëzua dhe arriti të shënojë dy herë për ta arkëtuar se paku një pikë që mund t'iu ndihmojë në garën për top katërshe.
Ishte Pedro Porro që pas një topi të kthyer nga goditja e Harry Kane realizoi për ta ngushtuar epërsinë (56').
Man United qysh në aksionin tjetër pati rastin ta kthejë epërsinë e dyfishtë, por Fernandes dështoi brenda zonës duke goditur traversën.
Kur askush nuk e priste, Rashford bëri një gabim duke e kthyer një top në mbrojtje që e 'vodhi' Harry Kane dhe gjeti për mrekulli të harruar Heung-min Son, i cili e kishte të lehtë të shënonte në portën e zbrazur (79').
Pas këtij barazimi, Man Unitedi mban pozitën e katërt me 60 pikë derisa Tottenham ngrihet në pozitën e pestë me 54 sosh.