Anglia kombëtarja më e shtrenjtë në Kupën e Botës, lë prapa edhe Brazilin dhe Francën
Vetëm disa ditë na ndajnë para se të nis Kupa e Botës, me sfidën Katar - Ekuador, që do të zhvillohet të dielën e ardhshme.
Padyshim në rast që pyetën tifozët, atëherë favoritët për Kupën e Botës janë këto kombëtaret e mëdha si Franca, Argjentina, Anglia, Portugalia dhe Brazili.
Sidoqoftë, në rast që shihet vlera e skuadrave në "Transfermarkt", atëherë "Tre Luanët" janë shumë larg ekip më i mirë në krahasim me të tjerat.
Gjithnjë sipas raportit të "Transfermarkt", Kombëtarja e Anglisë vlerësohet me 1.26 miliardë euro me Phil Foden që kushton 110 milionë euro, ndjekur nga Jude Bellingham me 100 milionë euro, derisa futbollisti më i lirë është mbrojtësi Kieran Trippier me vetëm 13 milionë euro.
Pas Anglisë, është kombëtarja e Brazilit që renditët e dyta sa i përket vlerës së futbollistëve me 1.14 miliardë euro, me Vinicius Juniro si futbollisti më i shtrenjtë me 120 milionë euro, ndjekur nga Rodrygo me 80 milionë euro.
Kombëtarja e tretë në këtë listë është ajo e Francës me 1.08 miliard euro me Kylian Mbappe si lojtari më i shtrenjtë në këtë turne (160 milionë euro), ndjekur nga Aurilien Tchouameni (80 milionë euro) dhe Christopher Nkunku i RB Leipzigut me 80 milionë euro.
Pas tyre renditet kombëtarja e Portugalisë me 937 milionë euro me Rafael Leao si më i vlerësuari me 75 milionë euro.
Ndërkohë, dy kombëtaret e preferuara të shumë tifozëve, si Gjermania dhe Argjentina, ekipet e tyre vlerësohen me 885 milionë euro, respektivisht 633.20 milionë euro.
Në anën tjetër, nga kombëtaret afrikane, më e shtrenjta është kombëtarja e Senegalit me 288 milionë euro me yllin e Bayern Munichut, Sadio Mane që vlerësohet me 60 milionë euro.
Mirëpo, në këtë turne do të marrin pjesë edhe disa kombëtare që do të mundohen të bëjnë befasinë, si mikpritësja Katari, që vlerësohet me vetëm 14.9 milionë euro, që është më e ulët se vlera e kombëtares së Kosovës, ose edhe Arabia Saudite me 25.2 milionë euro.
Për fund kujtojmë orarin e plotë të Kupës së Botës.
Faza grupore: 20 nëntor - 2 dhjetor
Raundi i 16-të: 3 dhjetor - 6 dhjetor
Çerekfinalet: 9 dhjetor - 10 dhjetor
Gjysmëfinalet: 13 dhjetor - 14 dhjetor
Ndeshja për pozitën e tretë në turne: 17 dhjetor
Finalja e Kupës së Botës Katar 2022: 18 dhjetor