Andy Murray: S’e meritoj një lamtumirë si të Roger Federerit - NACIONALE

Andy Murray: S’e meritoj një lamtumirë si të Roger Federerit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-numri një i botës, Andy Murray, beson se nuk e meriton një lamtumirë të ngjashme me atë të Roger Federerit dhe thotë se nuk është nxitur nga pensionimi i legjendës zvicerane për ta varur reketin në gozhdë.

“Nuk po mendoj për pensionimin tani”, tha britaniku 35-vjeçar.

Murray, i cili në vitin 2019 druhej se karriera e tij kishte marrë fund për shkak të një lëndimi në ije, ishte pjesë e ekipit të Evropës i cili u mund për herë të parë nga ekipi i Botës në turneun Laver Cup në fundjavë.

Murray dhe Matteo Berrettini pësuan disfatë në lojën e çiftëve kundër ekipit të Botës të dielën, i cili e fitoi turneun me rezultat të përgjithshëm 13:8.

Legjenda zviceran Federer, 41-vjeçar, e luajti ndeshjen e fundit të karrierës së shquar të premten dhe i dha lamtumirën tenisit pas 25 viteve si profesionist duke krijuar skena tejet emocionale në Londër.

Të shtunën, fituesi i 20 titujve grand slam, u duartrokit për disa minuta nga mijëra tifozë në palestrën O2 në Londër, pas një fjalimi emocional.

“Unë natyrisht se nuk do ta kem dhe nuk e meritoj një lamtumirë të tillë”, tha Murray, i cili i ka fituar tre tituj grand slam gjatë karrierës.

“Mbase do të njoftoj kur do të luaj për herë të fundit, por kur dhe si nuk e di”, nënvizoi ai.

Pensionimi i Roger Federerit

Roger Federer, 41 vjeç, nuk kishte luajtur tenis që prej Wimbledonit 2021, pas të cili u detyrua ta operojë gjurin për herë të tretë.

“Tri vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira. E dija se po ecja në fije të perit që prej pjesëmarrjes së fundit në Wimbledon”, tha Federer për BBC.

Legjenda e tenisit shtoi: “U përpoqa të rikthehem por isha i kufizuar në atë që mund ta bëja. Dhe nuk besova më, të jemi sinqertë me ju”.

Federeri tregoi se kishte bërë një fotografim të gjurit së fundmi dhe rezultati nuk doli siç shpresonte ai: “Shumë shpejt e kuptova se kaq ishte”.

“Pastaj vjen pyetja: si ta bësh dhe kur ta bësh njoftimin? Në këtë çast u bë realitet. Ishte në rregull por stresuese”.

“T’i shkruaja ato fjalë ishte sikur rehabilitim”

Tetë herë kampioni i Wimbledonit njoftoi pensionimin përmes një komunikate në rrjetet sociale të enjten e kaluar.

“Kanë qenë disa javë emocionale duke u munduar t’i përdor fjalët e duhura, të cilat pasqyrojnë mënyrën se si ndihem unë dhe për t’i falënderuar njerëzit që më kanë ndihmuar gjatë rrugës”, tha Federer.

“Gjithmonë i kam larguar nga koka mendimet e pensionimit. Thosha, sa më shumë që mendoj për të, aq më afër pensionimit jam dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të shkoj në punë, pra si lojtar tenisi, prandaj do të merremi me këtë kur të vijë koha. Dhe erdhi. Dhe unë u mora me të”.

Ai nënvizoi: “Mendoj se t’i shkruaja ato fjalë ishte edhe si rehabilitim për mua”.

Tani i cilësuar si njëri ndër më të mirët në historinë e tenisit, Federeri thotë se kurrë nuk iu fut tenisit duke parafytyruar se do të kishte kaq shumë sukses dhe pasi arriti kaq shumë, ishte i lumtur të largohej.

Ai qëndroi numër një në botë për 310 javë – përfshirë 237 javë pandërprerë që është rekord – dhe i fitoi 103 tituj.

“Nuk mendoj se dikush rritet duke menduar se do të fitojë kaq shumë. Je i lumtur ta fitosh një titull në Wimbledon, që është çmenduri, apo të jesh numër një, më i miri”.

“Ti nuk mendon për javët e shumta si numër një, janë mediat dhe tifozët që flasin për rekordet”.

Lajme të ngjashme