Ancelotti s’e ka ndër mend të largohet nga Real Madridi, pavarësisht turpërimit në Champions
Carlo Ancelotti ka këmbëngulur se e ardhmja e tij në Real Madrid nuk është aspak në dyshim, pasi skuadra e tij u mposht 4:0 nga Manchester City në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve.
Bernardo Silva shënoi dy gola në pjesën e parë për ta kaluar Cityn në epërsi në Etihad Stadium, para se Eder Militao të shënonte autogol dhe zëvendësuesi Julian Albarez të shënonte në fund për rezultatin e përgjithshëm 5:1 për skuadrën e Pep Guardiolës pas dy ndeshjeve.
Rrëzimi në gjysmëfinale nënkupton se Madridi ka mbetur pa trofe në dy frontet kryesore këtë sezon, Ligën e Kampionëve dhe Laliga, pasi Barcelona u shpall kampione e Spanjës në fundjavë.
Megjithatë Ancelotti – kontrata e të cilit përfundon në qershor 2024 – tha se dështimi për ta fituar njërin nga këta dy trofe nuk duhet të ngrejë pikëpyetje për të ardhmen e tij në krye të skuadrës.
“Askush nuk dyshon”, tha Ancelotti kur u pyet për të ardhmen e vet në Madrid pas ndeshjes.
“Presidenti (Florentino Perez) ishte shumë i qartë 15 ditë më parë. Prandaj askush nuk dyshon.”
Trajneri italian po iu referohej komenteve të Perezit pas triumfit të Madridit në finalen e Kupës së Mbretit, ku Ancelotti e mposhti 2:1 Osasunën më 6 maj, ku kishte thënë: “Nuk dua të dëgjoj më për të ardhmen e Ancelottit. Ai ka kontratë dhe ne jemi të lumtur”.
