Amir Rrahmani: Kosova është Kosovë dhe kështu do të mbetet gjithmonë
Përballja mes Rumanisë dhe Kosovës përfundimisht u ndërpre pas thirrjeve nacionaliste të tifozëve rumun.
Pas ndeshjes në konferencë për shtyp doli Franco Foda dhe Amir Rrahmani për të dhënë qëndrimet e tyre rreth ngjarjës.
Trajneri Foda tha se çdokush duhet ta kuptojë që jemi Kosova, duke kërkuar që në fushë dhe tribuna të mbizotërojë respekti dhe jo gjestet që u bënë sot.
"Në konferencën dje thashë që është shumë e rëndësishme që të gjithë të shfaqin respekt, qoftë brenda apo jashtë fushës. Dua të potencoj që futbollistëve para ndeshjes u kam thënë se duhet të shfaqin në fushë atë që Kosova di të bëjë dhe sonte ne e kemi treguar këtë në mënyrë të shkëlqyer. Fatkeqësisht në minutat e fundit të ndeshjes humbi respekti dhe kjo është arsyeja pse vendosëm të largoheshim nga fusha. Në dhomën e zhveshjes biseduam me të gjithë futbollistët e trajnerin kundërshtar për t'u kthyer në fushë. Problemi është që situata në stadium nuk ndryshoi dhe për këtë arsye vendimi ishte të mos ktheheshim në fushë për të vazhduar këtë ndeshje. Më vjen keq për këtë, sepse ekipi bëri lojë të shkëlqyeshme, fantastike. Por çdokush duhet ta kuptojë dhe ta respektojë faktin që ne jemi Kosova. Shpresoj që në të ardhmen UEFA të ndërmarrë hapat e duhur që këto gjëra të mos ndodhin sërish."
Në anën tjetër, kapiteni Amir Rrahmani, tha se Kosova është Kosovë dhe e tillë do të mbetet gjithmonë.
"Përshëndetje të gjithë. Dua të flasë në anglisht, pasi dua që fjalët e mia të kuptohen direkt nga FIFA dhe UEFA. Ajo që ndodhi sonte ka nisur kohë më parë. Federata e Rumanisë ka bërë thirrje të shumta te tifozët e saj që të mos ndodhin gjëra të tilla. Sido që të jetë, sonte pati sërish gjeste të tilla, me thirrje raciste gjatë tërë ndeshjes, jo në kor po thirrje individuale, ndërsa situata u përkeqësua në minutat e fundit, kur fillimisht tifozët rumun filluan të këndojnë këngë që nuk dua as t'i përmendi sepse më vie turp. I jam drejtuar gjyqtarit të marrë masa, por ai nuk e ka bërë, njëjtë edhe herën e dytë nuk ndërmori asgjë, kurse në herën e tretë i kam thënë se do të largohemi nga fusha dhe kjo ndodhi. Ne kemi shkuar në dhomat e zhveshjes, aty ku ofendimet kanë vazhduar edhe më shumë dhe për këtë arsye ne kemi vendosur të mos kthehemi më në fushë. Dua t'i bëjë thirrje UEFA-s që të marrë masa që të mos ndodhë përsëritja e këtyre gjërave, sepse vendi ynë ka një të kaluar të vështirë, duke dalë nga lufta, ku ka pasur masakra dhe nuk ka qenë e lehtë të arrihet në pikën ku jemi, ndaj ne kërkojmë respekt, ku të gjithë duhet ta dinë se Kosova është Kosovë dhe kështu do të mbetet gjithmonë."
Kujtojmë se kjo ndeshje do të shënohet me rezultat zyrtar 3:0 për Rumaninë deri në vendimin e ardhshëm të UEFA-s.