Amrabat: Respekt për Mbappen, por nuk ia kemi frikën askujt
Sofyan Amrabat në një intervistë dhënë për “Marca” ka folur edhe rreth sfidës së sontme ndaj Francës, e specifikisht edhe për yllin e saj më të madh, Kylian Mbappe, për të cilin theksoi se e respekton, por nuk i druhen.
Maroku sonte do ta luajë një sfidë jetike. Pas vetes ka një botë të tërë arabe dhe një kontinent afrikan që e përkrah. Këtë përbashkim rreth tyre e ndjejnë edhe futbollistët marokienë.
Njëri prej atyre që më së shumti ka lënë mbresa deri tani është Amrabat. Mesfushori i Fiorentinës në një intervistë dhënë për prestigjiozen spanjolle “Marca” deklaroi që respekton Mbappen, por nuk është se do të hyjnë me frikë për ta neutralizuar atë në fushë.
“Ai është një futbollist i madh, por nuk ia kemi frikën. Franca ka edhe të tjerë futbollistë shumë të mirë dhe ekziston respekti për ta. Mbappe është njëri prej më të mirëve në botë, por nuk i druhemi”, tha ai.

Ndeshja mes Marokut dhe Francës fillon pas pak, me fillim në ora 20:00. Ndërkohë në Francë janë marrë masa të mëdha edhe sa i përket rendit dhe sigurisë, pasi dihet që ka një numër të madh marokienësh që kanë migruar në shtetin francez prej kohësh.
Amrabat pranon se i pëlqen stili i lojës i Simeones
Amrabat njihet si një mesfushor i palodhur, që sakrifikon shumë për skuadrën e tij, pa kursyer asgjë nga vetja. I tillë ishte edhe te Hellas Verona kur stërvitej nga Juric.

Te Fiorentina me trajnerin Italiano ende nuk e ka gjetur atë shkëlqim çfarë po e demonstron në Botëror tani. Për specialistët e futbollit karakteristikat e tij teknike i shkojnë përshtati një trajneri si “Cholo”.
Se ka pëlqim për të e pranoi edhe vetë mesfushori marokien: “Kam një trajner të madh edhe te Fiorentina. Nuk më pëlqen të flas për të tjerët. Mirëpo, po, më pëlqen stili i lojës i Cholo. Ka fituar shumë dhe kam respekt për të. Futbollistët e skuadrës së tij janë fizikisht të fortë dhe shumë agresivë. Më pëlqen të luaj kështu.”
Këto komente vijnë pasi në shtypin e huaj kanë qarkulluar spekulime të ndryshme rreth një interesimi të Atletico Madridit për shërbimet e tij. Gjithmonë duke u bazuar në disa zëra spekulative, përflitet se ai është edhe në radarin e Liverpoolit.

Gjithsesi, për Amrabat ka kohë që të mendojë sa i përket futbollit në nivel klubesh. Ai tani është i fokusuar në një ëndërr të një kombi të tërë, për ta parë veten për herë të parë në një finale Botërori. Dhe, kjo është është veç 90 minuta larg.
