Ambasadori britanik Abbott thotë se FFK-ja duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet për licencim - NACIONALE

Ambasadori britanik Abbott thotë se FFK-ja duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet për licencim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë e mbështet Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) në përpjekjet e saj për t’u licencuar në Ministrinë e Sportit, por i kërkoi asaj t’i plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara.

Kreun e FFK-së, Agim Ademi – i cili është duke u hetuar për korrupsion në federatë dhe shmangie tatimore – e priti Abbottin në një takim të mërkurën.

Abbott – i njohur si një tifoz i madh i Kombëtares së Kosovës – shkroi në Facebook: “Sot e takova presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Ne biseduam për licencimin e Federatës së Futbollit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si një hap i rëndësishëm për Kosovën për ta vazhduar përparimin dhe garimin në arenën ndërkombëtare. Ne u pajtuam që Federata duhet të jetë e pavarur nga politika dhe duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet për licencë. Ia ofrova përkrahjen time të plotë presidentit dhe FFK-së në rrugën e tyre”.

Policia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës janë duke i hetuar Ademin bashkë me disa zyrtarë të tjerë për korrupsion në shtëpinë e futbollit.

Ademi – i cili ka gati një vit që po dështon ta licencojë FFK-në në Ministrinë e Sportit – dyshohet për veprat penale “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.

Derisa FFK-ja nuk është e licencuar, asnjë klub i futbollit në vend nuk mund të përfitojë nga ligji për sponsorizim, i cili është tejet i rëndësishëm për mirëqenien financiare të tyre.

Që nga dhjetori klubet nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky ligj, i cili i liron investitorët e klubit të përfitojnë nga zbritja prej 30% nga tatimi.

Lajme të ngjashme