Kreu i FFK-së Agim Ademi lirohet nga arresti shtëpiak - NACIONALE

Kreu i FFK-së Agim Ademi lirohet nga arresti shtëpiak

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Raportohet se kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është liruar nga arresti shtëpiak në procedurë të rregullt, derisa hetimet ndaj tij dhe disa zyrtarëve të tjerë të federatës nën dyshimin për korrupsion po vazhdojnë.

Ademi, 61 vjeç, ishte marrë në pyetje dhe vendosur në arrest shtëpiak njëmujor më 23 mars.

Pak ma e përfunduar masën e caktuar nga prokurori, Ademi u lirua në procedurë të rregullt të martën, sipas Klan Kosova.

Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka qenë e qasshme në kërkesën e Nacionales për ta konfirmuar lajmin.

Policia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës janë duke i hetuar Ademin bashkë me disa zyrtarë të tjerë për korrupsion në shtëpinë e futbollit.

Ata dyshohen për dy vepra penale, “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.

Telashet e reja të Ademit me ligjin vijnë në një kohë kur shtëpia e futbollit e udhëhequr nga ai ka pothuajse një vit që nuk po arrin të licencohet në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Derisa FFK-ja nuk është e licencuar, asnjë klub i futbollit në vend nuk mund të përfitojë nga ligji për sponsorizim, i cili është tejet i rëndësishëm për mirëqenien financiare të tyre.

Që nga dhjetori klubet nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky ligj, i cili i liron investitorët e klubit të përfitojnë nga zbritja prej 30% nga tatimi.

Lajme të ngjashme