Amatorizmi i FFK-së: Brenda ditës nis hetim dhe merr vendim për dënim të rëndë ndaj zyrtarit të Llapit - NACIONALE

Amatorizmi i FFK-së: Brenda ditës nis hetim dhe merr vendim për dënim të rëndë ndaj zyrtarit të Llapit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Kosovës, FFK, ka vënë në pah edhe një herë mungesën e profesionalizmit dhe seriozitetit në organizimin garave të futbollit në vend, pasi i mori një serë vendimesh disiplinore në ditën e nisjes së hetimeve disiplinore.

Komisioni Disiplinor, i udhëhequr nga kryetari Metë Çeku, vendosi ta dënojë me 4 (katër) muaj me mos ushtrim të detyrës zyrtare sekretarin e Llapit, Muhamet Rexhepi, i dyshuar për fyerje dhe kërcënime ndaj gjyqtarëve pas disfatës së skuadrës së tij kundër Dritës në fundjavë.

“Sipas raportit të gjyqtarit kryesor dhe zyrtarëve të ndeshjes Drita –Llapi. Bazuar në nenin 40 paragrafi 1 pika E të Rregullores disiplinore; Dënohet me 4 (katër) muaj me mos ushtrim të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e FFK-së të martën më 7 mars.

Komisioni i shtëpisë së futbollit e mori këtë vendim vetëm pak orë pasi një organ tjetër, Komisioni i Garave, kishte hapur procedurë disiplinore ndaj Rexhepit.

“Inicime disiplinore ndaj: Përfaqësuesit zyrtar të FC ”Llapi”, Muhamet Rexhepi nrID 001413M88. Motivi: Në min e 56 -të, fyen dhe ofendon gjyqtarin kryesor të ndeshjes, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Drita – Llapi.

Pra, komisioneve të FFK-së iu deshën vetëm pak orë për t’i shikuar provat dhe për të vendosur që sezoni për Rexhepin të mbarojë para kohe.

Procedurë hetimore dhe vendime nuk u hapën dhe morën vetëm ndaj zyrtarit të Llapit të martën, por edhe ndaj trajnerit të Prishtinës, Ismet Munishit, të cilin e akuzoi dhe pastaj e qortoi për deklaratat e tij ndaj gjyqtarëve pas barazimit me Ballkanin të dielën.

Drejtori sportiv i KF Istogu, Avdyl Qetaj, u pezullua me dy ndeshje në ditën që u hap procedurë disiplinore ndaj tij për fyerje të rënda ndaj gjyqtarëve gjatë dhe pas ndeshjes kundër Phoenixit.

Njëlloj sikur Munishit, edhe KF Vushtrrisë iu kërkua deklaratë shtesë në ditën që u hap procedurë ndaj saj për dyshimet se tifozët e klubit kishin hedhur shishe në fushë gjatë përballjes me Ulpianën.

FFK-ja i mori këto vendime në të njëjtën ditë kur shefi i saj, Agim Ademi, u mbrojt në heshtje në seancën e rigjykimit ndaj tij në lidhje me akuzën për detyrim.

Lajme të ngjashme