Allegri shpërthen në fyerje ndaj drejtuesve të Interit: Ju jeni m*ta, do të përfundoni në vend të 6-të
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka shpërthyer në fyerje ndaj drejtuesve të Interit në zhveshtoret e San Siros pas eliminimit të skuadrës së tij nga Kupa e Italisë, duke u thënë atyre “ju jeni m*ta dhe do të përfundoni në vendin e gjashtë, gjithsesi”.
Federico Di Marco e shënoi golin e vetëm për t’ia fituar Interit ndeshjen e kthimit në Giussepe Meazza të mërkurën mbrëma, e cila i mjaftoi për të kaluar në finale me rezultat të përgjithshëm 2:1.
Shpërthimi i inatit të Allegrit veçse i rrit edhe më shumë polemikat mes dy klubeve, pasi sulmuesi i zikaltërve Romelu Lukaku u abuzua në mënyrë racore gjatë ndeshjes së parë nga tifozët e Juventusit në Allianz Stadium në Torino.
Gazetta dello Sport raporton se Allegri u tërbua pas ndeshjes dhe nisi t’i ofendojë drejtuesit e Interit derisa po shkonte në zhveshtoren e stadiumit.
Trajneri italian së pari e fyeu menaxherin e Interit, Dario Baccin, me të cilin kishte pasur fërkime edhe në ndeshjen e parë. Baccin ishte gjobitur sepse ishte futur në fushë në fund të ndeshjes së parë kur Samir Handanovic dhe Romelu Lukaku ishin përjashtuar nga loja.
Më pas, Allegri kishte shpërthyer në fyerje ndaj të gjithëve, madje edhe ndaj shefit ekzekutiv të zikaltërve Giuseppe Marrotta, me të cilin kishte punuar në Juventus dhe kishte pasur marrëdhënie të shkëlqyera.
Raportohet se Allegri kishte bërtitur: “Ju njerëzi jeni m*ta, do të përfundoni në vendin e gjashtë këtë sezon”, para se të futej në zhveshtore dhe t’u drejtohej lojtarëve të vet me fjalë të ashpra për paraqitjen e dobët.
“Duhet të përfundojmë para tyre në ligë, nuk duhet t’i lejojmë ata të shkojnë në Ligën e Kampionëve”, raportohet t’u këtë thënë Allegri lojtarëve të Juventusit.
