Allegri pas humbjes kundër Interit: Na zuri gjumi në fillim
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, e pranoi se skuadra e tij ishte në gjumë në fillim të ndeshjes gjysmëfinale në Kupën e Italisë kundër Interit, por këmbënguli se pastaj i bëri 60 minuta futboll të mirë pavarësisht disfatës.
Federico Di Marco e shënoi golin e vetëm për t’ia fituar Interit ndeshjen e kthimit në Giussepe Meazza të mërkurën mbrëma, e cila i mjaftoi për të kaluar në finale me rezultat të përgjithshëm 2:1.
Juventusi nuk krijoi pothuajse fare raste shënimi për ta rrezikuar Interin, derisa Mattia Perinit iu desh t’i bënte disa pritje të rëndësishme për ta mbajtur në lojë skuadrën e Allegrit.
“Ndjesia në pjesën e parë, veçanërisht në 15 minutat e parë, ishte se në ramë në gjumë. Pastaj ishte më mirë, por nuk bëmë goditje të mjaftueshme në portë dhe Interi ishte shumë fizik”, tha Allegri pas ndeshjes.
Juventusi është tani në vendin e tretë në Serie A, pasi iu hoq dënimi me 15 pikë, dhe i duhet ta ruajë atë nëse dëshiron të kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
“Ne duhet t’i rimbushim bateritë, sepse i kemi humbur katër nga pesë ndeshjet e fundit në Serie A, jemi jashtë Kupës së Italisë dhe nesër duhet t’i përvjelim mëngët. Jemi në gjysmëfinale të Ligës së Evropës dhe duhet ta mbrojmë pozitën në Serie A”, shtoi ai.
