Allegri lë të kuptohet se Juventusi do të dënohet me pikë sërish
Massimiliano Allegri beson se Juventusi është ende larg sigurimit të një vendi në top katërshe në Serie A, pasi druhet se klubi do të dënohet me heqje pikësh sërish.
Megjithëse e mposhti Cremonesen dhe e forcoi vendin e dytë në tabelë të ligës me 69 pikë, tri më shumë se Interi në vendin e tretë dhe tetë më shumë se Milani në vendin e pestë, Allegri beson se Juventusi nuk e ka siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm për shkak se ka goxha mundësi të përballet me heqje pikësh përsëri.
“Vendin e dytë duhet ta sigurojnë në fushë”, tha Allegri për Sky Italia pas ndeshjes.
Juventusi u dënua me heqjen e 15 pikëve nga Federata e Futbollit e Italisë për parregullsi financiare dhe fshehje të llogarive bankare në lidhje me shitblerjen e lojtarëve, por pikët i janë kthyer përkohësisht muajin e kaluar pasi u ankua në gjykatën sportive.
Por Sky Sport Italia raporton se Juventusi tani rrezikon të dënohet me heqjen e nëntë pikëve, që ishte dënim i kërkuar fillimisht nga prokurori i Federatës së Futbollit të Italisë.
Në skenarin e tanishëm, Juventusit i duhet vetëm një pikë nga tri ndeshjet e mbetura për ta siguruar top katërshen, por një dënim me nëntë pikë do ta zbriste atë nën Milanin me 60 pikë nga 35 ndeshje.
