Albion Rrahmani do t’i nënshtrohet operacionit, mungon disa javë - NACIONALE

Albion Rrahmani do t’i nënshtrohet operacionit, mungon disa javë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, dje në paraqitjen e tij të parë nga fillimi për Kombëtaren e Kosovës, ka pësuar një lëndim të rëndë. Tani është konfirmuar se ai ka pësuar frakturë në kyçin e këmbës.

Rrahmani e zëvendësoi Vedat Muriqin e suspenduar nga minuta e parë, në fitoren e Kosovës 3:0 ndaj Andorrës, por pësoi lëndim në pjesën e dytë, për t’u zëvendësuar në minutën e 66-të.

23-vjeçari u dërgua për ekzaminime mjekësore të menjëhershme në spitalin e qytetit në Andorra, La Vella.

FFK me anë të një komunikate për shtyp ka treguar se rezultatet nga ekzaminimi i lëndimit është frakturë në kyçin e këmbës së djathtë, ku duhet t’i nënshtrohet operimit.

Zakonisht një lëndim i tillë për rikuperim merr kohë gjashtë deri në 10 javë, por kjo periudhë mund të jetë edhe më e shpejtë.

Bashkëlojtarët dhe stafi i Kombëtares i kanë uruar Albionit kalim sa më të shpejt të këtij lëndimi, ndërsa tutje FFK ka treguar se do të bashkëpunojnë me Rapidin e Bukureshtit, skuadrën e Albion Rrahmanit, për të siguruar që rehabilitimi të jetë sa më i suksesshëm.

Lajme të ngjashme