Albin Kurti i jep mbështetje Kosovës për vendimin e largimit nga fusha ndaj Rumanisë - NACIONALE

Albin Kurti i jep mbështetje Kosovës për vendimin e largimit nga fusha ndaj Rumanisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti e ka vizituar të dielën kombëtaren e Kosovës, për të cilët ka shprehur mbështetje të plotë lidhur me vendimin që morën duke mos u kthyer në fushë ndaj Rumanisë.

Pas thirrjeve raciste, si dhe ato “Kosova është Serbi”, kapiteni Amir Rrahmani iu kërkoi lojtarëve të largohen nga fusha, ndërsa pastaj refuzuan të kthehen shkaku që një situatë e njëjtë kishte ndodhur edhe në herën e fundit në Bukuresht.

FFK-ja ka njoftuar se kryeministri Kurti i ka dhënë mbështetje të plotë futbollistëve për mënyrën si vepruan ndaj Rumanisë.

“Është kënaqësi dhe nder që takohemi sot bashkë. Së pari duhet të ju përgëzoj për lojën e shkëlqyeshme që e keni bërë në Bukuresht, ku keni dominuar në fushën e gjelbër, dhe në të njëjtën kohë të shpreh solidaritetin tonë të plotë me qëndrimin që keni mbajtur aty. Ai është qëndrim parimor, i drejtë dhe i dobishëm, edhe për Kosovën, edhe për futbollin, edhe për secilin qytetar të vendit tonë, i cili është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani, për çka ju përgëzoj e ju falënderoj nga zemra”.

“Nuk është hera e parë që po na ndodhë një situatë e tillë. Thirrje shoviniste kundër Kosovës dhe shqiptarëve, thirrje raciste kundër lojtarëve tanë dhe popullit tonë kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Vetëm se tash është mbushur kupa. Dhe nuk ka vend në kupë për më shumë sulme të tilla denigruese që janë të papranueshme në botën e civilizuar. Kur kjo ndodh në një shtet i cili ende nuk na ka njohur, gjithçka bëhet edhe më e rëndë”.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të bëjmë gjithçka që këtë betejë ta vazhdojmë edhe në arenën ndërkombëtare politike e diplomatike, por edhe në aspektin ligjor e juridik, në mënyrë që UEFA dhe FIFA t’i dënojnë ata që e meritojnë”.

Në fund të fjalimit të tij, kryeministri Kurti citoj deklaratën e kapitenit Amir Rrahmani pas ndeshjes: “Po e përfundoj këtë fjalë timen duke e cituar Amir Rrahmanin saktësisht. “Dua t’i bëj thirrje UEFA-s dhe FIFA-s të mos lejojnë këso gjëra. Kosova ka pasur të kaluar të vështirë, luftë masakra e gjithçka, s’ka qenë e lehtë të arrihet këtu, andaj meritojmë respekt. Të gjithë duhet ta dijnë se Kosova është Kosovë, ose Kosova është Shqipëri, Kaq, këtu mbaron”. Me këtë qëndrim të tij kapiteni ynë Amir Rrahmani ka treguar se anija e jonë e përbashkët është shtetërore, kombëtare e sportive, e nuk është tregtare apo revizioniste qysh duan disa kryeqendra tjera të vendeve autoritare, e posaqërisht fqinji ynë armik e agresiv në veri të shtetit tonë të dashur. Unë nuk di të luaj aq mirë futboll, p.sh. kryetari i Kuvendit (Glauk Konjufca) luan shumë më mirë se unë, por përndryshe sa i përket këtij qëndrimi e kishim bërë një rrokadë me Amir Rrahmanin. Ai me këtë qëndrim do të mund të ishte taman kryeministër, por fatkeqësisht unë nuk mund ta zëvendësoj atë në ndeshjet e futbollit. Edhe një herë ju them se nuk bën të kemi dilemën as më të vogël për drejtësinë e qëndrimit dhe vendimit tuaj për të cilin po e ritheksoj e keni mbështetjen tonë të plotë, të pakursyer e të parezervë”, tha Kurti, i cili në shaka theksoi se sikur presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ashtu edhe ministri Çeku e paralajmëruan para takimit se duhet të jemi preciz me kohën sepse e kemi trajnerin gjerman, dhe minutat janë 60 sekonda e jo më shumë”, raporton FFK-ja.

Lajme të ngjashme