Alban Bushi: Mora lojtarë shqiptarë dhe jo të Kosovës
Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë U21, Alban Bushi thotë se ka marrë lojtarë shqiptarë dhe jo nga Kosova.
Javëve të fundit ka qenë një debat i madh, me Medon Berishën dhe Adrion Pajazitin që u larguan nga Kosova U21, për t’i bashkuar “Kuq e Zinjve”.
Trajneri Afrim Tovërlani për gazetën Nacionale kishte reaguar pas këtyre incidenteve, duke thënë:
“Është e sigurt se Bushi nuk është duke bërë mirë, pasi po i fton lojtarët e Kosovës në këtë mënyrë. Besoj se mjaftueshëm ka marrë Shqipëria lojtarë nga Kosova dhe do të ishte mirë të orientohen nga futbollistët me prejardhje nga Shqipëria”, ishte deklarata e përzgjedhësit të Kosovës U21.
E lidhur me këtë deklaratë ka reaguar edhe Bushi, i cili i mbron veprimet e tij duke shtuar se do ftojë lojtarë nga e gjithë bota që flasin shqip.
“Kam marrë lojtarë shqiptarë dhe jo të Kosovës, çdo lojtar që flet shqip në botë është shqiptar, pavarësisht ku zgjedh të luajë. Problemet me procedurat që kanë ndodhur sjellin këtë situata të pakëndshme”.
Kjo situatë e pakëndshme mes dy Federatave është duke vazhduar, pavarësisht që lidhjet mes të dyjave mbeten mjaftë të forta.
Sa i përket Berishës, babai i tij për gazetën Nacionale, Bajrami, kishte thënë se për të janë njëjtë si Kosova e Shqipëria, prandaj nuk e sheh si ndonjë gjë të madhe.
“S'di çka po e bëjnë teatër aty për Medonin dhe për lojtarë të tjerë. Unë kam biseduar edhe me të Federatës, për mua ka qenë njësoj si Shqipëria si Kosova, na s'kemi shku të serbët e para, e dyta as te Zvicra s'kemi shkuar. Më pas shkuar te ekipi nacional i Zvicrës ose të serbët, në rregull, por na njëjtë si të Shqipëria si të Kosova, për mua njësoj është", thoshte Bajram Berisha derisa më vonë konfirmoi se lojtari iu bashkua Kosovës pasi nuk iu bë pasaporta te Shqipëria.
E nuk është vetëm Shqipëria, Zvicra vazhdon të merr lojtarë të shumtë nga Kosova, ku së fundmi ftuan Ardon Jasharin, mesfushorin e talentuar të Luganos.
Përndryshe, edhe Albian Hajdari nga Juventusi U21, u ftua te Zvicra U21, që është një tjetër hap drejt ekipit A të “Helevikëve”.
Përndryshe, Kosova do të zhvillojë dy ndeshje zyrtare, atë ndaj Irlandës Veriore më 24 shtator, e tre ditë më vonë do ta pres Qipron në “Fadil Vokrri”.