"Ai kishte mendimet e tij", Kane thotë se Tottenham po shikon përpara pas shkarkimit të Contes
Sulmuesi Harry Kane e ka pranuar se Tottenham po shikon përpara pas shkarkimit të trajnerit Antonio Conte.
Conte u largua nga Spurs më 26 mars pas një deklarate ku kritikoi lojtarët dhe bordin drejtues.
Kane ishte pyetur nga "Sky Sports" lidhur me shkarkimin e Contes, por anglezi deklaroi se preferon të shikojë përpara.
"Ai kishte mendimet e tij dhe sigurisht ishte moment emocionues pas një rezultati zhgënjyes në atë ndeshje".
"Nuk dua të merrem më shumë në atë aspekt. Jemi të fokusuar që ta arrijmë top katërshen. Nuk mund të shikojmë prapa, duhet të fillojmë tani dhe të fokusohemi te ndeshjet e radhës dhe këtë do të provojmë ta bëjmë".
Tottenham lëshoi pikë sërish këtë herë ndaj Evertonit, duke pësuar një gol në minutat shtesë, por arritën të hynë në top katërshe edhe pse kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara se Manchester Unitedi.
Gjasat për top katërshe për Spurs nuk duken të lehta, sidomos duke marrë parasysh se edhe Man United, Newcastle Utd dhe Liverpool po garojnë për të zënë një pozitë.
Ndërkohë, skuadra londineze kaloi edhe një tjetër sezon pa trofe pasi janë eliminuar nga të gjitha kompeticionet përfshirë Ligën e Kampionëve, ku u mposhtën nga Milani.
