“Ai ishte lojtar i mirë”, Juventus konfirmon se Paul Pogba nuk është në planet e klubit
Trajneri i Juventusit Thiago Motta dhe drejtori Cristiano Guintoli thanë të njëjtat fjalë kur u pyetën për Paul Pogban, duke konfirmuar se nuk e shohin në projekt.
Dënimi katërvjeçar i francezit është zbritur në vetëm 18 muaj, kësisoj ai do të jetë në gjendje për t’u kthyer në fushën e gjelbër në marsin e vitit 2025.
Pogba ka kontratë me Juventusin deri më 2026, por mediat italiane raportuan vazhdimisht se nuk është më pjesë e planeve.
Këtë gjë pak a shumë e konfirmuan edhe Motta e Guintoli, që sugjeruan se gjiganti italian nuk ka nevojë të mbështet më te francezi.
“Pogba ishte lojtar i mirë”, tha Motta në konferencë për shtyp të shtunën, ndërsa Guintoli i përsëriti të njëjtat fjalë në më pak se 24 orë.
“Duhet të presim për rezultatin përfundimtar të apelit. Padyshim, ai ishte lojtar i mirë, por ka munguar për shumë kohë. Do ta presim vendimin e CAS-it”, deklaroi drejtori i “Bianconerëve”.
Pogba ka bërë vetëm 12 paraqitje për Juventusin në të gjitha garat që kur u rikthye nga Manchester Unitedi në vitin 2022.
Përndryshe, ai është lidhur me një kalim në Amerikë, ku pëlqehet nga disa klube por ende nuk dihet nëse është gati për t’u larguar nga Evropa.