Agjenti i trajnerit gjerman flet për Nacionalen: Mohon bisedimet me FFK-në - NACIONALE

Agjenti i trajnerit gjerman flet për Nacionalen: Mohon bisedimet me FFK-në

2 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Agjenti i trajnerit gjerman Andre Breitenreiter ka mohuar bisedimet me Federatën e Futbollit të Kosovës, duke thënë se nuk ka pasur asnjë takim.

Është raportuar vazhdimisht në orët e fundit se ish trajneri i Zurichut shihet si kandidati kryesor për ta drejtuar FFK-në, pasi Roberto Moreno zgjodhi klubin rus.

Mediumi zviceran “20min” raportoi se FFK është takuar me Breitenreiter dhe ishte afër një marrëveshje, duke shtuar se një takim do të ndodhë në ditët në vijim.

Megjithatë, kjo duket se është vetëm spekulim. Agjenti i trajnerit gjerman Hans-Georg Felder ekskluzivisht për Gazetën Nacionale ka deklaruar se nuk ka asgjë të vërtetë, përkundrazi nuk ka pasur as edhe një takim me krerët e FFK-së.

“Sa i përket Kosovës, mund t’iu informoj se nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare nga Federata (e Futbollit të Kosovës). Nuk ka pasur asnjë shkëmbim zyrtar”.

“A ka ndodhur ndonjë takim? Jo, nuk ka pasur as edhe një takim”.

Mirëpo, agjenti shtoi se Breintenreiter do të ishte i hapur për ta konsideruar si opsion Kosovën.

“Në rast që vjen oferta nga FFK? Duke e njohur Andre, atëherë mund të them se i shqyrton të gjitha ofertat përpos nëse është ndonjë komplet absurde”.

Shumë emra, por asgjë konkrete deri më tani

Kombëtarja e Kosovës vazhdon të jetë pa trajner që kur ndërpreu bashkëpunimin me sllovenin Primoz Gliha.

Në mediat lokale tashmë janë përmendur emra të ndryshëm, si Roberto Moreno, Senol Gunes , Roberto Carlos, Niko Kovac dhe tani Breitenreiter.

Megjithatë, nga të gjithë këta emra vetëm me Morenon mund të thuhet se kishte diçka konkrete, pasi në mënyrë amatore u publikuan fotografi të takimit me teknikun spanjoll që pastaj e refuzoi ofertën e Kosovës duke zgjedhur klubin që renditet në vendin e fundit në kampionatin rus.

Mediat lokale raportuan se FFK bëri një ofertë prej 600 mijë eurove që Moreno të vinte me një staf prej pesë personash, por që ishin të pamjaftueshme për ta bindur ta pranojë ofertën.

Kryetari Agim Ademi para disa javëve konfirmoi se Gianni De Biasi dhe Ilir Daja nuk janë kandidat për ta drejtuar Kosovën, kurse emërimi i përzgjedhësit të ri do të bëhet në fundin e muajit janar, apo fillimin e muajit shkurt.

Kosova nuk do të zhvillojë asnjë ndeshje deri në muajin mars, ku pritet të luhen dy miqësore (emrat e kundërshtarëve ende nuk dihen).

Përndryshe, “Dardanët” ndeshjet zyrtare i nisin në muajin nëntor, në kuadër të Ligës së Kombeve, ku duhet me patjetër të sigurohet pozita e parë në grupin C për të avancuar në grupin B e sidomos për t’iu afruar një kualifikimi të mundshëm në Kupën e Botës.

Lajme të ngjashme