Ademi e shpalos planprogramin për zgjedhjet kontroverse me një kandidat në FFK - NACIONALE

Ademi e shpalos planprogramin për zgjedhjet kontroverse me një kandidat në FFK

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Agim Ademi e ka shpalosur planprogramin e vet për president të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), duke e synuar një mandat të dytë radhazi, në ato që po cilësohen si zgjedhje jodemokratike dhe me plot polemika, me presidentin e tanishëm Ademi si kandidatin e vetëm për zgjedhjet e 6 prillit.

60-vjeçari e shpalosi sot planprogramin, të cilin e quajti "Bashkë për futbollin", rreth 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në të cilat do të jetë i pasfiduar.

Zgjedhjet e 6 prillit në FFK janë kundërshtuar dhe kritikuar nga kundërshtarët e Ademit dhe madje edhe nga Ministria e Sportit e Kosovës, e cila e ka akuzuar federatën se e ka shkelur ligjin e sportit dhe statutin e vet me mënyrën se si i ka thirrur ato.

Në planprogramin e tij, Ademi - i cili e mori drejtimin e shtëpisë së futbollit në vitin 2018 menjëherë pas vdekjes së presidentit të atëhershëm Fadil Vokrri – premtoi se do ta zgjerojë kapacitetin e ulëseve në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, si dhe vendosjen e reflektorëve në stadiumet e të gjitha qyteteve në vend, në mënyrë që ndeshjet e Superligës të zhvillohen edhe në mbrëmje. Këtë gjë deri tani ka mundur ta bëjë vetëm Prishtina.

“Kemi planifikuar dhe kemi bërë kërkesën në UEFA, e cila është miratuar. Kampionati i Superligës do të kthehet nën drita të reflektorëve”, tha Ademi gjatë shpalosjes së planprogramit të vet të shtunën.

60-vjeçari e ka quajtur “Bashkë për futbollin” planprogramin, me të cilin synon të rizgjidhet president. Ai tha se Komiteti Ekzekutiv i FFK-së kërkuar nga Ministria e Arsimit që në të gjitha shkollat të shtojnë një orë më shumë të lëndës së Edukatës Fizike, e cila do t’i kushtohej vetëm futbollit.

Ademi u zotua se do të punojë edhe për sigurimin shëndetësor të futbollistëve

“Jemi në bisedime me kompani. Do ta kemi më të lehtë për futbollistë dhe për klube. Krahas saj do të kemi edhe një qendër rehabilituese për futbollistët që kanë nevojë. Kjo do të bëhet në objektet e FFK-së.”

Ademi gjithashtu premtoi funksionalizimin e ligës për grupmoshat U21, aktivizimin e futbollit të vogël “5×5”, krijimin e akademisë dhe të një muzeu të FFK-së.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nuk ia pranoi kandidaturën për president kundërshtarit të vetëm të Ademit në këto zgjedhjet, Gramoz Vokrrit, javën e kaluar, me pretendimin se kishte gjetur shkelje në nënshkrimet e delegatëve që ia kishin dhënë besimin e atij.

Kjo nënkupton se Ademi do të jetë i pasfiduar në zgjedhjet e 16 prillit, të cilat janë quajtur si jodemokratike nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), i cili ka bërë thirrje që të organizohet një Kuvend Zgjedhor demokratik përmes një gare të hapur dhe të mos pengohen kandidaturat tjera të mundshme.

Lajme të ngjashme