AC Milan e nis vitin në stilin e kampionit, triumfon ndaj Salernitanas
AC Milan e ka vazhduar më së miri sezonin pas pushimit të Kupës së Botës, duke mposhtur në udhëtim Salernitanan në kuadër të xhiros së 16-të në Serie A.
"Rossonerët" triumfuan me rezultat të ngushtë 1:2, duke vazhduar ndjekjen e liderit momental Napoli.
Milan e nisi për mrekulli ndeshjen duke kaluar në epërsi pas vetëm 10 minutave lojë me Sandro Tonalin që asistoi për Rafael Leao, i cili dribloi portierin dhe pastaj shënoi në portën e zbrazur (10') - VIDEO.
Kurse, vetëm pesë minuta më vonë pas një tjetër aksioni të shpejtë Brahim Diaz i ktheu topin Tonalit, i cili me një goditje fantastike dyfishoi epërsinë (15') - VIDEO.
Milan kishte edhe disa raste deri në përfundim të kësaj pjese me anë të Giroud dhe Diaz, por asnjëra nuk u finalizua.
Gjatë pjesës së dytë, Milan shënoi sërish përmes Diaz, mirëpo pas rishikimit të VAR-it goli u anulua për pozitë jashtë loje (58').
Situata për Salernitanan u vështirësua pasi Domagoj Bradaric u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrje shumë të rrezikshme që bëri (75').
Sidoqoftë, vendasit arritën ta realizojnë golin e nderit përmes Federico Bonazzoli (83') - VIDEO.
Pas kësaj fitore, Milan vazhdon të renditët i dyti me 36 pikë, derisa Salernitana bie në pozitën e 13-të me 17 sosh.
Në xhiron e radhës, Milan do ta pres Romën derisa Salernitana e pret Torinon.