Liga e Kampionëve: A do të jetë Liverpooli në gjendje ta përmbysë Real Madridin? - NACIONALE

Liga e Kampionëve: A do të jetë Liverpooli në gjendje ta përmbysë Real Madridin?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot përfundon faza e të tetës së finales në Ligën e Kampionëve, me Liverpoolin që do të kërkojë ta bëjë një tjetër rikthim të ëndërruar dhe pothuajse të pamundur kundër kampionit në fuqi Real Madrid.

Dy ndeshjet e fundit të kësaj faze, Real Madrid – Liverpool dhe Napoli – Frankfurt, zhvillohet sonte, ndërsa shorti për çerekfinale do të hidhet të premten në Nyon të Zvicrës.

A mund ta bëjë edhe një mrekulli tjetër Liverpooli?

Skuadra e Jurgen Kloppit do të përpiqet ta bëjë një tjetër përmbysje gati të pamundur të rezultatit kundër Real Madridit sonte në Bernabeu, pasi e humbi 5:2 ndeshjen e parë në shtëpi.

Në vitin 2019, Liverpooli e kishte përmbysur një humbje me tri gola nga ndeshja e parë, duke e mundur Barcelonën 4:0 në ndeshjen e kthimit.

Kloppi, megjithatë, nuk mund të llogaritë në mbështetjen e zjarrtë të tifozëve në Anfield, pasi loja zhvillohet në Madrid, e as në kapitenin Jordan Henderson.

Për të kaluar në çerekfinale, të kuqtë duhet ta mposhtin Madridin me katër gola dallim, apo të fitojnë me tri gola dallim për ta çuar ndeshjen në vazhdime dhe penallti.

Ballafaqimi tjetër është mes Napolit dhe Eintracht Frankfurtit, me liderin e Serie A italiane që ka një përparësi pasi e fitoi 2:0 ndeshjen e parë.

Të dyja ndeshjet zhvillohen në ora 21:00. /Orselina Lazraj/

Lajme të ngjashme