Trajneri Giresse: Kosova mund ta fitojë grupin në Ligën e Kombeve - NACIONALE

Trajneri Giresse: Kosova mund ta fitojë grupin në Ligën e Kombeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Kosovës, Alain Giresse, thotë se nuk dëshiron t’i vendosë vetes synime, edhe pse mendon se verdhekaltrit e kanë mundësinë ta fitojnë grupin e vet në Ligën e Kombeve.

Kosova është pjesë e Grupit 2 në Ligën C të garës dytësore të UEFA-s, bashkë me Irlandën Veriore, Greqinë dhe Qipron.

“Pse jo, pse mos të jemi në vendin e parë. Nuk dua të diskutoj se a i kemi mundësitë apo jo. Nuk dëshirojmë që të vendosim objektiva, ose të premtojmë diçka para lojës. Do ta marrim secilën lojë veç e veç, e pastaj të jemi lider, por të shohim”, tha Giresse të premten në një konferencë për media në Prishtinë.

Dardanët i nisën sot përgatitjet për orarin e ngjeshur të ndeshjeve në qershor, pasi në një periudhë prej 10 ditëve Kosova do t’i zhvillojë katër ndeshje, në sezonin e tretë të Ligës së Kombeve.

Kosova është pjesë e Grupit 2 në Ligën C – kategoria e tretë në këtë garë – bashkë me Qipron, Irlandën Veriore dhe Greqinë.

Ai shtoi: “Qëllimi është të kemi performancë sa më të mirë në këto katër ndeshje. Qëllimi ynë është që të përgatitemi sa më mirë për këto ndeshje, në mënyrë që të arrijmë pritshmëritë tona.”

“Nuk ka lojë të lehtë. Sepse nëse nisemi me mendimin që ka lojë të lehtë, është nisja drejt dështimit. Nuk guxojmë t’i konsiderojmë kështu ndeshjet. Në futboll duhet modesti. Të trajtohet secila lojë veç e veç dhe për secilën lojë ta japim maksimumin, e jo të hyjmë me idenë se kjo lojë është e vështirë e kjo është e lehtë”.

Trajneri francez nuk mundi t’i ikte edhe pyetës për disa mungesa të theksuara në listën e tij të parë për ndeshje të karakterit garues.

Ndër mungesat e mëdha ishin të zakonshmit Florent Hadërgjonaj, Elbasan Rashani, Astrit Selamni dhe Bersant Celina.

69-vjeçari ka lënë të kuptohet se Rashani i Clermont në Francë nuk ka dashur të vijë për arsyeje personale, ndërsa Hadërgjonaj i Kasimpasa nuk ka arritur t’i përgjigjet ftesës së Kombëtares.

“Përzgjedhja bëhet në bazë të informacioneve që ne i kemi, të disa kritereve. Mbi të gjitha zgjedhjet janë sportive, dhe ka një arsye për mungesën e lojtarëve, në disa raste ndërlidhet me probleme personale si rasti Rashani që nuk ka qenë i gatshëm t’i bashkëngjitet ekipit”, tha Giresse.

“Qysh thashë më herët ka zgjedhje sportive, sa i përket Rashanit kemi pasur bisedë me trajnerin, dhe kërkesa e tij që mos t’i bashkohet përfaqësueses për këto lojë. Ndër të tjera, bazohem në grupin që e kemi pasur në muajin mars. Dhe me të cilët kemi qenë të kënaqur, pasi gjatë atyre ndeshjeve i kemi përfshirë të gjithë lojtarët. Hadërgjonaj s’ka arritur ti përgjigjet ftesës për problem private, dhe kur të themi private arsyet mbesin private”.

Lajme të ngjashme