Franca assesi të këndellet, Kroacia e mposhtë Danimarkën - NACIONALE

Franca assesi të këndellet, Kroacia e mposhtë Danimarkën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Janë zhvilluar ndeshjet e treta të grupit A1 e Franca assesi të këndellet duke marrë vetëm dy pikë në tri ndeshje e tani gjendet në pozitën e fundit në tabelë, ndërsa në ndeshjen tjetër Kroacia e mposhti me rezultat 1:0 Danimarkën.

Raporti nga ndeshja: Austri – Francë

Ndeshja mes Austrisë e Francës e zhvilluar në Ernst Happel Stadion ishte nga ato ndeshje që loja e treguar në fushë nuk përkon me rezultatin. Franca u tregua mbizotëruese në të dy pjesët e takimit por që në realizim ishin të mangët.

Pjesa e parë na tregoi një dominim të Francës në mesfushë e me raste të njëpasnjëshme por që asnjëherë nuk arritën ta mposhtnin Patrick Pentz.

Rasti i parë në ndeshje i takoi Antoine Griezman i cili nga një gjuajtje e lirë goditi mirë por në vend ishte portieri austriak. Edhe në vazhdim të ndeshjes Franca po rrezikonte lehtësisht por që pa përfundim e në futboll thuhet se kur nuk shënon, pëson.

Goli i parë i takimit erdhi nga një kundërsulm i shpejtë në krahë ku Konrad Laimer lëshoi një top të mirë në zonë dhe Andreas Weimann e gjeti golin lehtë kur po shënohej minuta e 37-të e takimit.

Benzemas i takoi rasti më i mirë i takimit tek francezët kur në minutën e 42-të goditi mirë por që Pentz bëri një pritje të jashtëzakonshme. Pjesa e parë u mbyll kështu pa pasur diçka më shumë.

Edhe në pjesën e dytë ishte Franca ajo që kishte gjithçka në dorë, ku po dominonte me mbajtje të topit prej 71% e nuk kishte si ndryshe me tërë këtë dominim të mos gjente golin e barazimit.

Ishte Kunku ai që dërgoi një pasim të bukur te Mbappe e i cili e përfundoi edhe më bukur, duke dërguar topin prapa krahëve të Pentz.

Ky ishte edhe rezultati përfundimtar i takimit, pra 1:1 pas 90 minutave lojë dominuese nga Franca.

Raporti i ndeshjes: Danimarkë – Kroaci

Ndeshja mes Danimarkës e Kroacisë na la përshtypjen se vetëm një skuadër po paraqitej në fushë, ku Danimarka po e demolonte me raste të njëpasnjëshme por që Kroacia me vetëm një rast arriti ta fitojë takimin.

Pjesa e parë e takimit ishte e plogësht në përgjithësi, me disa raste të Danimarkës por që nuk kishte gola e në pjesën e dytë të takimit Kroacia u kthye në lojë me disa gjysmë raste dhe dominim në posedim të topit e cila u shpërblye me golin e Mario Pasalic në minutën e 69-të. Ky ishte edhe goli i vetëm në takim duke mos pasur më asgjë deri në fund të takimit.

Edhe pse humbi, Danimarka vazhdon ta kryesojë grupin A1 me gjashtë pikë e në ndjekje të saj është Austria dhe Kroacia me nga katër pikë, ndërkohë Franca gjendet në fund me dy pikë.

Ndeshjet tjera që u zhvilluan gjatë ditës së sotme përfunduan kështu:

Në grupin C3 u zhvilluan këto dy lojë: Azerbajxhan – Sllovakia dhe Bjellorusia – Kazakistani.

Sllovakia e mposhti si mysafire Azerbajxhanin me anë të një goli të Vladimir Weiss në minutën e 81-të, ndërsa Kazakistani barazoi me Bjellorusin me rezultat 1:1, duke vazhduar serinë pa humbje e duke kryesuar grupin.

Edhe në grupin D1 u zhvilluan dy takime: Moldavia – Letonia dhe Andorra – Lihtenshtajni.

Në ndeshjen mes Moldavisë e Letonisë u shënuan gjashtë gola e në këtë dramë fitorja i takoi Letonisë me rezultat 4:2. Golat për Letonin i shënoi: Gutkovskis 19’ 60’ dhe Ikaunikes 26’ 75’, ndërsa për Moldavinë shënuan: Nicolaescu 5’ dhe Motpan 60’.

Në ndeshjen tjetër të skuadrave të fundit të tabelës e të cilat nuk kanë synime më të mëdha asnjëherë, ndeshja përfundoi me fitoren Andorrës me rezultat 2:1.

Lajme të ngjashme