Flasin nga Komuna e Suharekës: E njëjta qeveri që vitin e kaluar aprovoi ndihmën financiare për Ballkanin, e anuloi këtë vit - NACIONALE

Flasin nga Komuna e Suharekës: E njëjta qeveri që vitin e kaluar aprovoi ndihmën financiare për Ballkanin, e anuloi këtë vit

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Lorika Gashi, Drejtoreshë për Kulturë në Komunës e Suharekës për Gazetën Nacionale e konfirmoi se kërkesa për ndihmë financiare për Ballkanin është anuluar nga Qeveria e Kosovës edhe pse kërkesa e njëjtë në vitin e kaluar ishte aprovuar.

Një lajm i mirë erdhi për Ballkanin në fund të muajit maj, kur Komuna e Suharekës njoftoi se janë ndarë 80 mijë euro për klubin e Ballkanit ashtu siç kishte bërë edhe vitin e kaluar, por tani me një arsye më shumë, sepse Ballkani kësaj radhe u shpall kampion i Kosovës.

Ballkani i dha fund pritjes së gjatë 75-vjeçare këtë vit, duke u bërë kampion i Kosovës për herë të parë pas disa përpjekjeve dëshpëruese viteve të fundit. Kjo ishte, po ashtu, hera e parë që një klub nga ky qytet e fiton titullin në futboll.

Në një bisedë që Gazeta Nacionale zhvilloi me Drejtoreshën për Kulturë, ajo u shpreh se Qeveria çuditërisht ka anuluar vendimin për ndihmë financiare të Ballkanit.

“Po, çuditërisht Qeveria e Kosovës ka anuluar vendimin tonë për ndihmë me mjete financiare për Ballkanin, edhe pse e njëjta Qeveri në vitin e kaluar kishte aprovuar po të njëjtin vendim. Si arsye kanë përdorur se kjo do duhej bërë përmes një dëgjimi publik dhe jo përmes asamblesë, por ne kemi vepruar njëjtë edhe vitin e kaluar dhe se nuk ka pas asnjë lloj pengese nga Qeveria.”

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili njihet edhe si tifoz i flaktë i sportit, shpesh herë ka marrë iniciativa për të ndihmuar sportin në vendin e tij, ani pse mundësitë dhe buxheti është i vogël.

Për Komunën e Suharekës ky anulim i vendimit është një pengesë e vogël por që nuk do ta ndalë atë që në një formë apo tjetër të iu ndihmojë klubeve të qytetit.

“Ne nuk do të ndalemi, kjo është vetëm një pengesë e vogël dhe ne do të gjejmë mundësinë ligjore që në një formë ta ofrojmë ndihmën tonë si Komunë për klubet tona që po na bëjnë krenar duke e mbizotëruar pothuajse çdo sport në vend”, theksoi Lorika Gashi për Nacionalen.

Për Suharekën, një qytet të vogël me rreth 30 mijë banorë dhe 57 kilometra larg kryeqytetit - Prishtinës, fitimi i titujve në dy sportet kryesore në vend, futboll dhe basketboll, ishte një çast historik që ata nuk do ta harrojnë asnjëherë. Asnjë qytet tjetër, përveç Prishtinës, nuk e kishte mbizotëruar sportin pas luftës brenda një viti siç bëri këtë sezon Suhareka.

Lajme të ngjashme