700 milionë euro nuk e bindin, Kylian Mbappe refuzon takimin me përfaqësuesit e Al-Hilalit
Sulmuesi Kylian Mbappe ka refuzuar të takohet me përfaqësuesit e Al Hilalit, raporton mediumi francez “L’Equipe”.
Skuadra nga Arabia Saudite ka bërë një ofertë zyrtare drejt PSG-së duke ofruar 300 milionë euro për shërbimet e francezit, me “Parisienët” që kanë dhënë dritën jeshile për të nisur negociatat edhe me lojtarin për t’u realizuar ky transferim.
Kësisoj, Al Hilal pasi mori përgjigje pozitive nga PSG-ja, dërgoi përfaqësuesit për të diskutuar edhe me Mbappen ditën e martë, por që lojtari ka refuzuar të gjitha diskutimet e mundshme.
Përgjigja e Mbappes thuhet të ketë qenë e qartë, pra një “JO” e prerë ngase nuk mendon të kalojë në Arabinë Saudite as për një edicion në këtë pikë të karrierës.
Al Hilal po provonte të bënte “çmendurinë” me ofertën që i bën Mbappes, duke i ofruar pagë deri në 700 milionë euro për sezon dhe gjithashtu ta lejonin të largohet qysh në vitin tjetër për ta plotësuar dëshirën, që të luaj te Real Madridi.
Kylian Mbappé refuse l'Arabie saoudite
— L'ÉQUIPE (@lequipe) July 26, 2023
Kylian Mbappé a refusé toute discussion avec les représentants du club d'Al-Hilal, présents à Paris ce mercredi. Le club saoudien avait fait une offre de 300M€ au PSG pour tenter de recruter l'attaquant https://t.co/pW5F8STQgP pic.twitter.com/hJYW9R2nVD
Raporti shton se deri më tani Mbappe nuk është i hapur që të largohet nga PSG-ja, përpos nëse Real Madrid nis negociatat – klub që deri më tani ka qëndruar tejet i heshtur.
“Los Blancos” po presin të dëgjojnë nga PSG-ja për çmimin e Mbappes dhe janë të gatshëm të vonohen sa më shumë, sepse vlera e kartonit të francezit veçse do të zbritej.
Nga ana tjetër, PSG po provon ta shesë sa më parë Mbappen dhe këtë e bën të qartë duke e lënë të stërvitet me lojtarët e “padëshiruar” në skuadër, si dhe duke mos e ftuar për në Japoni dhe Korenë e Jugut, ku klubi po e kryen fazën parapërgatitore.