‘Zemra’ e Prishtinës pa rrymë qe 20 orë: Çka po ndodh?
Qendra e Prishtinës, prej më shumë se 19 orë vazhdon të jetë pa rrymë. Derisa po shkruhet ky tekst, dëgjohen zhurmat e agregatëve edhe nga zyret e Nacionales. E, Nacionale ka dërguar pyetje te KEDS-i për të kuptuar më shumë se çka po ndodh me këtë avari të madhe energjetike, por deri tash, nuk kemi një përgjigje dhe sapo ta marrim, do ta integrojmë në këtë tekst.
Një zjarr i madh ka përfshirë dje objektin e nënstacionit elektrik pranë staduimit ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.
Djegia e trafos që është kryesore për një pjesë të madhe të kryeqytetit, e ka lënë një pjesë të Prishtinës pa rrymë qe më shumë se 19 orë.
Njoftimi i fundit nga KEDS, është mbrëmë, ku është thënë se ka qenë i pamundur intervenimi deri në momentin kur kanë lëshuar njoftimin.
“Njoftojmë konsumatorët se pas zjarrit në Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT, që furnizon kryesisht qendrën e qytetit të Prishtinës, se ekipet e KEDS-it, edhe pse në gatishmëri, për momentin e kanë të pamundur për të intervenuar, meqenëse aty gjenden institucionet relevante shtetërore duke bërë vlerësimin e gjendjes dhe verifikimet e nevojshme”, kanë thënë nga KEDS-i nëpërmjet njoftimit.
Derisa KEDS i referohet incidentit, mbrëmë ka njoftuar se ‘do t’i mbajë të informuar qytetarët’.
“Për çdo të re lidhur me këtë incident, dhe mundësinë e intervenimit të KEDS-it për të riparuar dhe rikthyer energjinë elektrike për konsumatorët e afektuar, do t’ju mbajmë të informuar”, u tha në njoftimin e KEDS.
Ndërkohë, në njoftimin paraprak, KEDS pati njoftuar se ekipet i kishte në vendin e ngjarjes.
“Ju informojmë se para rreth një ore ka shpërthyer një zjarr në Nënstacionin Prishtina 3, me ç’rast një numër i caktuar i konsumatorëve nuk kanë rrymë.
Aktualisht po punohet në pastrimin e hapësirave të shkaktuara nga zjarri, ndërkaq nuk dihet akoma se çka e shkaktoi atë. Ekipet e KEDS-it ndodhen në vend dhe po punojnë në mënyrë intensive për kthimin në normalitet të gjendjes”, thuhej në njoftimin e KEDS.
Zëdhënësi i KEDS-it dje: Janë prekur 10 mijë konsumatorë
Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i KEK-ut Lulzim Krasniqi, i ka thënë dje KlanKosovës, se nga kjo avari, janë prekur rreth 10 mijë konsumatorë.
“Ekipet e KEDS-it po punojnë në mënyrë intensive për rikthimin e energjisë elektrike për 10 mijë konsumatorë, pra kryesisht të qendrës së qytet që kishin mbetur pa rrymë gjatë ditës së djeshme”, tha Krasniqi.
“Ka dëme shumë të mëdha. Fillimisht kishin mbetur pa energji elektrike diku rreth 22 mijë konsumatorë, por kemi arritur që të evitojmë problemin për mbi 11 mijë konsumatorë nëpërmjet zgjidhjeve alternative, tani po punojmë edhe për pjesën tjetër”, ka thënë ai.