Zaimi i VV-së: Serbia s’do të dërgojë dot as 1 ushtar në Kosovë, s’ka të drejtë
Arbër Zaimi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosjes, ka shkruar një status në lidhje me situatën në veri, ku ka komentuar deklarimet e Petar Petkoviqit, kryenegociator i Serbisë në dialogun në Bruksel, për dërgimin e ushtrisë serbe në veri.
Ai ka shkruar se Petkoviq s’do ta dërgojë asnjë ushtar të vetëm në territorin e Kosovës.
“Prandaj Serbia nuk ka të drejtë dhe Petkoviqi nuk do të dërgojë dot as edhe 1 ushtar të vetëm në territorin e Kosovës.
Ushtria e Serbisë ka një CV të tmerrshme, përfshi edhe gjenocid, krime lufte e përdhunime, mbi popujt joserbë. Vetëm kriminelët mund të dëshirojnë rikthim në vendin e krimit.” – shkroi ndër të tjera z. Zaimi.
Postimi i plotë:
Policia e Kosovës është institucion i bazuar mbi të drejtat universale njerëzore, i cili kurrë gjatë ekzistencës së vet s’ka bërë asnjë diskriminim apo abuzim me natyre etnike.
Kosova është e pavarur dhe me territor të njohur nga shumica e vendeve të OKB-së, dhe me kufij të pandryshueshëm.
Serbia e pyeti vetë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë se a është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare pavarësia e Kosovës. GjND iu përgjigj pa ambiguitet: Po!
Të vetmit që shkaktojnë trazira në veri të Kosovës, janë bandat e gangsterëve dhe rrugaçëve, trashëgimtarë të Arkanit dhe vartës të Radoiçiqit e Veselinoviqit. Me urdhër të Vuçiqit ata kohët e fundit po godasin qytetarët serbë të Kosovës. Gangsterët nga Beogradi duan të terrorizojnë serbët e Kosovës që të paralizojnë integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.
Por as ata nuk kanë gjasa të fitojnë ndonjë gjë. Mafia, kontrabanda dhe paramilitarët nuk do të fitojnë. Do të fitojë Policia e Kosovës, demokracia, integrimi dhe ligji.

