Vrasja e gruas në QKUK: Çka rrëfyen familjarët e viktimës për Nacionalen? - NACIONALE

Vrasja e gruas në QKUK: Çka rrëfyen familjarët e viktimës për Nacionalen?

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Vetura të shumta të policisë po qëndrojnë afër shtëpisë së gruas nga Lipjani, që u vra nga ish-bashkëshorti i saj, derisa ishte në javët e fundit të shtatzënisë. Ngjarja e rëndë ndodhi në oborrin e repartit të Gjinekologjisë, ku trupi i pajetë i viktimës është tërhequr nga aty, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati. Çka thanë familjarët?

Gazetarët e Nacionales Anita Nikaj dhe Mirlind Behluli kanë qëndruar në Lipjan, afër shtëpisë së viktimës.

Aty pranë janë parë vetura të policisë, ndërsa motrat e viktimës, siç kanë mësuar kolegët në terren, kanë pranuar injeksione për qetësim.

Familjarët japin detaje

Nacionale ka biseduar me disa familjarë të viktimës, emrat e të cilëve nuk do t’i publikojë për arsye sigurie.

“Martesa ka qenë e shkurtë. Krejt 3-4 muaj kanë qenë të martuar. Janë ndarë për shkak të dhunës. Janë ndarë me shtet, me polici." - ka thënë fillimisht njëri prej familjarëve.

Mes tjerash, Nacionales i kanë rrëfyer edhe për kërcënimet e vazhdueshme të dorasit ndaj viktimës, si dhe një rast kur ky i pari, kishte shkuar në shtëpinë e saj.

"Njëherë dorasi e ka vizituar shtëpinë e viktimës, por ka intervenuar policia. Në momentin e arrestimit, atëbotë i ishte gjetur edhe një armë, teksa kishte qenë në paraburgim për 48 orë." - ka thënë një familjar.

Mes tjerash, Nacionale ka dëgjuar rrëfimin edhe për një kërcënim tjetër nga i dyshuari që ndodhet në arrasti, i cili i kishte thënë asaj: “Atë ditë që ta marr djalin, kom me të furë me duar të mia.”

Një tjetër i afërm i viktimës ka thënë për Nacionalen se ajo është vizituar dje edhe nga familjarët e ish-bashkëshortit, por nuk ka pranuar të takohet me ta.

"Vjehërrit e viktimës kanë qenë dje në spital dhe i kanë dërguar para e rroba për fëmijët. Ajo s'i pranoi. I ka thënë që po kërkon vetëm ndarje." - ka thënë ky familjar.

Çka dihet rreth rastit?

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti i konfirmoi Nacionales se e kanë marrë informatën rreth orës 18:00.

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.” – na tha ajo.

Por, më vonë, mediumi Kallxo.com raportoi se viktima ka qenë në trajtim nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave në regjionin e Ferizajt. Megjithatë, deri më tani kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Nacionale më herët, qëndroi edhe pranë repartit të Gjinekologjisë, ku gazetarja Anita Nikaj mësoi se viktima kishte qenë në javët e fundit të shtatzënisë.

Policia, Prokuroria dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë qenë po ashtu në vendin e ngjarjes.

Nga Policia e Kosovës, i kanë konfirmuar Nacionales se i dyshuari nuk është arrestuar ende, por se sapo të ndodhë kjo, do të komunikohet.

Ndërkaq, gazeta Sinjali më herët raportoi se i dyshuari për rastin është Sokol Halili, 31 vjeçar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lajme të ngjashme